• e diel, 22 dhjetor 2024

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u prit në takim nga presidenti i Islandës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u prit në takim nga presidenti i Islandës

Prishtinë, 2 shkurt 2023 (MIA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim nga presidenti i Islandës, Guoni Torlacius Johaneson, në një vizitë pune me qëllim të avancimit të marrëdhënieve bilaterale dhe rrugës euroatlantike të Kosovës.

Siç bëhet e ditur në kumtesën e Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës (ZPRK), në vizitën e parë të një kreu të shtetit të Republikës së Kosovës në Islandë, presidentja Osmani dhe presidenti Johaneson diskutuan për rritjen e bashkëpunimit gjatë presidencës së Islandës në Këshillin e Evropës.

"Presidentja Osmani theksoi rolin e rëndësishëm që luan kjo organizatë në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe vlerësoi lidershipin e Islandës në këtë drejtim. Presidentja Osmani shprehu domosdoshmërinë që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë, duke nënvizuar progresin e jashtëzakonshëm në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë, duke përfshirë kornizën kushtetuese dhe ligjore, e cila është shumë e avancuar dhe plotësisht e harmonizuar me të gjitha konventat ndërkombëtare. Ajo theksoi se qytetarëve të Kosovës po u bëhet padrejtësi e madhe duke ua mohuar qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si instrument jashtëzakonisht efektiv për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore", bëhet e ditur në kumtesë.

Krahas këtyre diskutimeve, dy presidentët kanë biseduar edhe për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Islandës, duke nënvizuar potencialin për rritjen e bashkëpunimit, ndërsa shprehën përkushtimin e tyre për të eksploruar mundësi të reja të bashkëpunimit në të ardhmen.

Presidentja Osmani ka theksuar se ky takim është një dëshmi e bashkëpunimit në rritje ndërmjet Kosovës dhe Islandës, si dhe e angazhimit të përbashkët për promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit në Evropë. 

QËNDRONI TË LIDHUR