• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takoi presidentin Makron, kancelarin Sholc dhe përfaqësuesin e lartë Borrell

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takoi presidentin Makron, kancelarin Sholc dhe përfaqësuesin e lartë Borrell

Prishtinë, 1 qershor 2023 (MIA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot në kuadër të samitit të dytë të Komunitetit politik evropian (KPE) në Kishinjev të Moldavisë, ka zhvilluar një takim me presidentin e Republikës franceze, Emanuel Makron, kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Sholc dhe përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Zhosep Borrell, njofton Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Siç thuhet më tej në kumtesë, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon. Presidentja Osmani ka ritheksuar se Kosova është e përkushtuar për ta vazhduar koordinimin me partnerët ndërkombëtarë për proceset në nëpër të cilat po kalon vendi.

Osmani ka potencuar se përpjekjet e Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veriun e vendit po sfidohen nga struktura ilegale serbe të mbështetura nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe të shndërruara në banda kriminale, të cilat kanë sulmuar Policinë e Kosovës, KFOR-in, teksa po vazhdojnë me sulme ndaj gazetarëve dhe qytetarëve.

Tutje, shtohet në kumtesë, presidentja Osmani ka thënë se veprimet e tilla synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, duke theksuar se duhet një qëndrim unik kundërshtues nga ana e shteteve të BE-së kundrejt tendencave që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.

Në takim me presidentin francez, Emanuel Makron dhe kancelarin gjerman, Olaf Sholc, presidentja e Kosovës ka rikonfirmuar qëndrimin parimor të Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër në tërësinë e tyre, thuhet në fund të kumtesës nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës. ab/

foto: Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës

QËNDRONI TË LIDHUR