• e enjte, 17 korrik 2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takim me profesorin Hisashi Ovada, ish-kryetar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takim me profesorin Hisashi Ovada, ish-kryetar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Prishtinë, 19 qershor 2025 (MIA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim profesorin e shquar të së drejtës ndërkombëtare dhe ish-kryetarin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Hisashi Ovada.

Pas një takimi jashtëzakonisht miqësor me të gjatë vizitës në Japoni, siç bëhet e ditur në kumtesën e Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës (ZPRK) presidentja Osmani e cilësoi nder të veçantë pritjen e profesorit Ovada në zyrën e saj, duke theksuar se ai përfaqëson një figurë të jashtëzakonshme në fushën e drejtësisë ndërkombëtare dhe një promovues të palodhur të paqes globale.

"Osmani shprehu mirënjohjen e thellë të institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës për rolin historik të profesorit Ovada, i cili si kryetar i GJND-së ka drejtuar këtë institucion në një prej momenteve më të rëndësishme për shtetin e Kosovës - dhënien e opinionit këshillëdhënës të datës 22 korrik 2010, ku Gjykata konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare", bëhet e ditur në kumtesën e ZPRK-së.

Osmani vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të profesorit Ovada jo vetëm për Kosovën, por edhe për zhvillimin dhe avancimin e të drejtës ndërkombëtare dhe përpjekjet për paqe globale.

Me këtë rast, Osmani e uroi profesorin Ovada edhe për titullin “Doctor Honoris Causa” të dhënë nga Universiteti i Prishtinës, duke theksuar se institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës do të mbeten përjetësisht mirënjohës për mbështetjen dhe vizionin e tij. fc/

Foto: Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës (ZPRK) 

QËNDRONI TË LIDHUR