• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Presidentja e Kosovës, Osmani pranon telegram urimi nga presidenti gjerman Shtajnmaer: Gjermania do të mbetet partner i besueshëm për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Osmani pranon telegram urimi nga presidenti gjerman Shtajnmaer: Gjermania do të mbetet partner i besueshëm për Kosovën

Prishtinë, 16 shkurt 2024 (MIA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e 16 vjetorit të pavarësisë, ka pranuar telegram urimi nga presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Ualter Shtajnmaer.

Shtajnmaer në urimin ka thënë se Gjermania do të mbetet një partner i besueshëm dhe i fuqishëm i Kosovës edhe në të ardhmen, ndërsa ka theksuar se do ta mbështesë vendin tonë drejt një të ardhme paqësore, evropiane.

"Për festën e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës ju përcjell juve dhe qytetareve dhe qytetarëve të vendit tuaj urimet më të përzemërta. Që nga pavarësia, para 16 vjetësh Kosova ka shënuar progres të konsidrueshëm dhe ka tejkaluar me sukses sfida të mëdha. Përkushtimi juaj i qartë për vlerat demokratike, pikërisht edhe pas nisjes së luftës së agresionit rus kundër Ukrainës, e nënvizon vendin e Kosovës në bashkësinë e vlerave evropiane. Vendi juaj gjendet para detyrave të mëdha: Forcimi i sundimit të ligjit, sikurse edhe lufta kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar mbeten thelbësore për ta forcuar më tej ekonominë dhe përshpejtuar përafrimin me Bashkimin Evropian. Progresi në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është gjithashtu vendimtar për të ardhmen e Kosovës dhe mbarë Ballkanit Perëndimor. Unë i gëzohem sukseseve të arritura rishtaz, si marrëveshja për njohjen e tabelave të automjeteve dhe zgjidhja e mosmarrëveshjes së energjisë. Gjermania do të mbetet një partner i besueshëm dhe i fuqishëm i Kosovës edhe në të ardhmen dhe do ta mbështes vendin tuaj me aq sa mundet në hapat e tjerë drejt një të ardhme paqësore, evropiane", thuhet në telegram urimin. qa/bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR