Presidenti sirian nesër në Moskë do të takohet me Putinin
- Presidenti sirian Ahmed al-Shara nesër do të takohet me homologun e tij rus Vlladimir Putin i cili do të jetë takimi i dytë midis dy liderëve që nga rrëzimi i aleatit të Kremlinit, Bashar al-Asad në vitin 2024.
- Post By Fami Bajrami
- 18:18, 27 janar, 2026
Moskë, 27 janar 2026 (MIA) - Presidenti sirian Ahmed al-Shara nesër do të takohet me homologun e tij rus Vlladimir Putin i cili do të jetë takimi i dytë midis dy liderëve që nga rrëzimi i aleatit të Kremlinit, Bashar al-Asad në vitin 2024.
"Janë planifikuar bisedime mbi gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe dhe perspektivat për zhvillimin e tyre në fusha të ndryshme, si dhe situatën në Lindjen e Mesme", kumtoi presidenca ruse.
Takimi do të zhvillohet në një kohë kur Moska po përpiqet të mbajë bazat e saja ushtarake në Siri, ndërsa presidenti sirian shpreson të sigurojë ekstradimin e Bashar al-Asadit i cili jeton në ekzil në Rusi që kur ra nga froni.
Moska ishte një aleat strategjik i ish presidentit sirian dhe ndërhyri ushtarakisht në Siri në vitin 2015 në mbështetje të forcave qeveritare kundër rebelëve dhe xhihadistëve, përfshirë al-Sharan.
Rrëzimi i Bashar al-Asadit i ka dhënë një goditje ndikimit rus në Lindjen e Mesme, megjithëse qeveria e re siriane deri më tani ka mbajtur marrëdhënie të mira me Moskën.
Foto: arkivi i EPA-s