• e mërkurë, 05 shkurt 2025

Presidenti gjerman do të vizitojë Arabinë Saudite, Jordaninë dhe Turqinë

Presidenti gjerman do të vizitojë Arabinë Saudite, Jordaninë dhe Turqinë

Berlin, 3 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti gjerman Frank-Valter Shtajnmaer udhëton për vizitë tre ditore në Lindjen e Mesme për t'u njohur personalisht me ngjarjet në rajon, veçanërisht pas përmbysjes së regjimit në Siri, njoftoi DPA, duke cituar kumtesë nga kabineti i tij.

Ai sot në Riad do të takohet me princin e kurorës saudite, Mohamed bin Salman.

Vizita e presidentit gjerman në kryeqytetin e Arabisë Saudite fillimisht ishte planifikuar për në nëntor, por më vonë u anulua pas rënies së qeverisë së koalicionit të qendrës së majtë të Olaf Sholcit.

Nga Arabia Saudite nesër Shtajnmaeri do të udhëtojë për Jordani, ku do të takohet me ushtarët gjermanë të vendosur në bazën ushtarake Al Azrak. Armata gjermane po merr pjesë në një mision ndërkombëtar me bazë në Jordani e cila po përpiqet të parandalojë ringjalljen e Shtetit islamik.

Është planifikuar edhe një takim me mbretin Abdullau i Dytë.

Stacioni i fundit nga turneu i Shtajnmaerit do të jetë Turqia, ku ai të mërkurën në mbrëmje me homologun e tij Rexhep Taip Erdogan do të diskutojnë për situatën në Siri.

Konflikti në Rripin e Gazës, roli i fuqisë së dobësuar rajonale të Iranit dhe pozicioni i administratës së re amerikane të presidentit Donald Tramp në Lindjen e Mesme do të jenë gjithashtu ndër temat e bisedës gjatë turneut të presidentit gjerman në Lindjen e Mesme.

Në botën arabe, Gjermania ka humbur ndjeshëm prestigjin për shkak të mbështetjes së fortë për Izraelin pas sulmit të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023, shkruan DPA. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR