• e hënë, 23 dhjetor 2024

Presidenti amerikan dhe kryeministri britanik nënshkruan një "Deklaratë të re atlantike" për të forcuar partneritetin ekonomik dypalësh

Presidenti amerikan dhe kryeministri britanik nënshkruan një

Uashington, 8 qershor 2023 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajden dhe kryeministri britanik Rishi Sunak nënshkruan sot një "Deklaratë të re Atlantike" për forcimin e partneritetit ekonomik bilateral.

Liderët e dy vendeve aleate u takuan në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Deklarata që ata nënshkruan parashikon forcimin e bashkëpunimit midis SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar për të trajtuar sfidat më të mëdha ekonomike.

Sipas planit, Uashingtoni dhe Londra do të forcojnë zinxhirët e furnizimit dhe do të zhvillojnë teknologjitë e së ardhmes, tha zyra e Sunak. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe ranë dakord gjithashtu për një partneritet të ri në fushën e përdorimit të energjisë atomike për qëllime civile. Përveç kësaj, secili nga dy vendet do të investojë në industrinë e tjetrit.

Partneriteti i ri ekonomik midis SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar synon t'i përgjigjet sfidave të mëdha gjeopolitike të kohës sonë, mbi të gjitha ambicieve të Kinës. Theks i veçantë i kushtohet bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes dhe furnizimit me metale të nevojshme për tranzicionin energjetik.

Kryeministri britanik tha se ai dhe presidenti amerikan kishin rënë dakord të punonin së bashku për sigurinë e inteligjencës artificiale.

"Britania e Madhe me padurim pret të jetë nikoqir i Samitit të parë Botëror për Sigurinë e intelegjencës artificiale më vonë këtë vit, në mënyrë që ne të mund të përfitojmë nga mundësitë e jashtëzakonshme të kësaj epoke të re teknologjike dhe ta bëjmë këtë me besim", tha Sunak.

Bajden, nga ana e tij, e bëri të qartë se Ukraina do të marrë "fondet e nevojshme" për mbrojtjen e saj "për aq kohë sa të jetë e nevojshme". ls/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR