• e enjte, 04 dhjetor 2025

Prej sot hyn në fuqi vendimi i Trampit për rritje të dyfishtë të tarifave për eksportin indian

Prej sot hyn në fuqi vendimi i Trampit për rritje të dyfishtë të tarifave për eksportin indian

Nju Delhi, 27 gusht 2025 (MIA) - Prej sot hyn në fuqi vendimi i presidentit të SHBA-së Donald Tramp për të dyfishuar tarifat mbi eksportin indian në 50 për qind, njoftuan mediat britanike.

Tarifa e re ndëshkuese prej 25 përqind shtesë është vendosur si përgjigje e blerjes së naftës ruse nga India, përveç tarifës së mëparshme prej 25 përqind.

Kategoritë e produkteve më të prekura janë tekstilet, gurët e çmuar, stolitë, këpucët, mallrat sportive, mobiljet dhe kimikatet - me tarifat totale ndër më të lartat në politikën tregtare të SHBA-së, të krahasueshme me ato për Brazilin dhe Kinën.

Vendimi u mor pas pesë raundeve të pasuksesshme negociatash.

Ministria indiane e Tregtisë, duke cituar burime anonime, njoftoi mbështetje financiare për eksportuesit e interesuar dhe stimuj për t'u zgjeruar në tregje të tilla si Kina, Amerika Latine dhe Lindja e Mesme.

Veçanërisht në rrezik nga tarifat e reja janë prodhuesit nga Guxharati, shteti i origjinës së kryeministrit indian Narendra Modi.

Përjashtimi i përkohshëm nga detyrimet doganore vlen për mallrat që janë dërguar tashmë në SHBA para afatit të fundit - mesnata e 17 shtatorit.

Disa sektorë janë gjithashtu të përjashtuar, duke përfshirë çelikun, aluminin, automjetet e pasagjerëve dhe bakrin, të cilët i nënshtrohen dispozitave të tjera të sigurisë kombëtare.

Sipas të dhënave të SHBA-së, tregtia totale midis dy vendeve arriti në 129 miliardë dollarë në vitin 2024, ndërsa deficiti tregtar i SHBA-së arriti në 45.8 miliardë dollarë.

Eksportuesit vlerësojnë se tarifat e rritura mund të godasin 55 përqind të eksportit të Indisë në SHBA prej 87 miliardë dollarësh, duke i hapur derën konkurrencës nga Vietnami, Bangladeshi dhe Kina.

Pavarësisht krizës tregtare, SHBA dhe India konfirmuan dje vazhdimin e bashkëpunimit strategjik.

Departamenti i Shtetit dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë njoftuan se zyrtarë të lartë zhvilluan një takim virtual dhe shprehën angazhimin e tyre për forcimin e marrëdhënieve dhe partneriteteve dypalëshe brenda Katërshes - aleancës së sigurisë të SHBA-së, Indisë, Australisë dhe Japonisë. sa/

foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR