• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Pothuajse 100 mijë kosovarë kanë aplikuar për pasaportë që nga fillimi i vitit

Pothuajse 100 mijë kosovarë kanë aplikuar për pasaportë që nga fillimi i vitit

Prishtinë, 19 shkurt 2024 (MIA) - Pothuajse 100.000 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për marrjen e pasaportës, prej të cilëve mbi 55.000 për herë të parë, që nga fillimi i janarit të këtij viti, kur u hoqën vizat Shengen për qytetarët e Kosovës, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Gjatë këtyre dy muajve janë vënë re radhë të gjata qytetarësh para zyrave për evidencë amë për marrjen e dokumentit të udhëtimit, ndërsa si rrjedhojë e kësaj edhe pritja për lëshimin e tij është shtyrë deri në një muaj, nga 15 ditë sa ishte më parë dhe sa është parashikuar me ligj.

Drejtori i Agjencisë për evidencë amë, Blerim Camaj, për shërbimin publik të Kosovës, RTK, deklaroi se vetëm nga 3 janari deri më 13 shkurt të këtij viti, 55.410 qytetarë për herë të parë kanë kërkuar pasaportë.

"Vitin e kaluar janë regjistruar dhe kanë marrë pasaportë rreth 300 mijë qytetarë. Rritja e kërkesave ka nisur në dhjetor kur janë regjistruar 36 mijë qytetarë. Por rritja vazhdon edhe këtë vit. Në janar janë regjistruar 71 mijë, në shkurt 27 mijë, tha Camaj.

Rritja e kërkesave ka zgjatur edhe pritjen për sigurimin e pasaportës.

"Jemi në gjendje të jashtëzakonshme dhe pritja është më e gjatë se sa parashikon ligji. Kështu që diku rreth 30 ditë qytetarët duhet të presin për të marrë pasaportën", thotë Camaj. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR