• e premte, 02 janar 2026

Postierë flutures dhe robotë në një berberhane – si e imagjinuan vitin 2025 100 vjet më parë

Postierë flutures dhe robotë në një berberhane – si e imagjinuan vitin 2025 100 vjet më parë

Shkup, 30 dhjetor 2025 (MIA)

Sanja KOSTOVSKA

Është viti 1925. Nju-Jorku vibron nga xhazi. Në bare të fshehura me alkool ilegal, pas dyerve sekrete me fjalëkalim, vajzat në stilin “flappers”, me modelin e flokëve “bob” dhe fundet deri në gjunjë, po vallëzojnë Çarleston – vallëzimin e ri që po trondit botën

Këmbët fluturojnë si të çmendura dhe gjunjët trokasin në ritmin e xhinit të ndaluar. Alkooli shërbehet ilegalisht, policia shpesh bën sikur nuk shikon dhe ajri mban erë cigaresh, parfumesh të shtrenjta dhe lirie të sapogjetur.

Euforia e “viteve të njëzeta të zhurmshme” 

Këto janë “vitet e njëzeta të zhurmshme” – periudha kur bota, pas tmerreve të Luftës së Parë Botërore, më në fund çlirohet dhe bërtet: “Mjaft! Tani do të jetojmë!” Pas llogoreve me baltë dhe miliona viktimave, njerëzit nuk duan të kujtojnë më ato kohë. Ata duan të harrojnë dhe të ëndërrojnë. Ekonomia po lulëzon - tregu i aksioneve në SHBA po rritet me një shpejtësi të pabesueshme, fabrikat e Henri Fordit po prodhojnë makina sikur prodhojnë bukë ndërsa rrugët janë të mbushura me automjete të zhurmshme të Modelit "T" të cilat shkëlqejnë nën dritat e reja elektrike. 

 

Në shtëpi, llambat me gaz janë një gjë e së kaluarës: energjia elektrike vjen si magji, frigoriferët gumëzhijnë, lavatriçet rrotullohen dhe radioja - oh, radioja! – ajo është ylli i vërtetë. 

 

Miliona familje ulen rreth kutive prej druri në mbrëmje, duke dëgjuar xhaz nga Çikagoja e largët ose lajme nga Parisi. Zëra pa tela! Një forcë e padukshme që bashkon botën. Për njerëzit e vitit 1925, kjo është magji e pastër.

Profetët e "Magjisë së Xhepit": Si e "panë" Tesla dhe Gernsback vitin 2025 

Në këtë eufori, viti 1925 e sheh vitin 2025 si një epokë të artë. Njëqind vjet më vonë? Është një përrallë e largët, territori i revistave të ilustruara si " Science and Invention“ e Hugo Gernsback, ku futuristët vizatojnë makina fluturuese, trotuare në lëvizje dhe televizorë xhepi. 

 

Ndërsa bota ende shikonte me admirim radion, i madhi Nikola Tesla, në një intervistë me revistën “Collier's” në vitin 1926, tashmë po shikonte përpara drejt nesh. Ai parashikoi se kur teknologjia pa tel të përsosej, e gjithë bota do të shndërrohej në një "tru gjigant".

 

Tesla përshkroi një pajisje mjaftueshëm të vogël për t’u mbajtur në xhepin e jelekut, nëpërmjet së cilës do të ishim në gjendje të shihnim ngjarje dhe të dëgjonim zëra sikur të ishim atje, pavarësisht distancës. Përshkrimi të kujton në mënyrë të papërmbajtshme telefonin inteligjent të një epoke kur një telefon rrotullues ishte një luks.

Por jo të gjitha vizionet ishin kaq të sakta. Vetë Gernsbek besonte se në vitin 2025, shtëpia do të kontrollohej nga “kontrollet - telefoto”. Në ilustrimet e tij, amvisa ulet përpara një paneli kontrolli dhe, nëpërmjet kamerave, u jep udhëzime duarve robotike në kuzhinë se si të përgatisin drekën. Ai hamendësoi se do të kishim kamera dhe automatizim, por viti 2025 i tij ishte plot me kabllo, një stil që sot me një buzëqeshje e quajmë “stimpank”

 

Edhe pse e imagjinonte kuzhinën e së ardhmes pak më të komplikuar, Gernsback ishte një vizionar i vërtetë për telemjekësinë, duke parashikuar 'mjekun radio' i cili do të ishte në gjendje t'ju ekzaminonte nga mijëra kilometra larg nëpërmjet një ekrani dhe sensorësh - një koncept që në vitin 2025 është realiteti ynë i përditshëm.

Berberët robotë dhe radiohipnoza 

Në faqet e revistave si "Modern Mechanics", u shfaqën ide që e bënë vijën ndarëse midis gjenialitetit dhe çmendurisë pothuajse të padukshme. Një nga konceptet më argëtuese ishte "lexuesi automatik i gazetave". 

 

Në vend që të shkonte në kioskë, gazeta supozohej të transmetohej nëpërmjet valëve të radios dhe të shtypej në kohë reale direkt në dhomën tuaj të gjumit. Ata nuk parashikuan digjitalizimin e tekstit, por thjesht menduan se do të kishim makina të vogla shtypi në çdo cep të shtëpisë.

Profesori Arçibald Lou, në vitin 1925, parashikoi një pajisje për "radiohipnozë". Ideja ishte që deri në vitin 2025, njerëzit nuk do të duhej të shqetësoheshin për të studiuar. E tëra çfarë duhej të bënin ishte të vendosnin një “kapak radioje” të lidhur me tela para se të shkonin në shtrat, ndërsa pajisja do të “injektonte” informacionin e nevojshëm direkt në trurin e tyre nëpërmjet valëve të padukshme. 

 

Ndoshta shpikja më e çuditshme që u diskutua seriozisht ishte “berberi mekanik”. Në vizionin për vitin 2025, një burrë ulet në një karrige, dhe një seri gërshërësh dhe brisqesh robotikë të saktë, të kontrolluara nga ingranazhe komplekse, ia shkurtojnë flokët saktësisht në 60 sekonda.

 

Nuk kishte vend për bisedë politike me berberin - vetëm çelik i ftohtë dhe i saktë. Ironi e pastër, njëqind vjet më vonë, njerëzit në vitin 2025 kanë mall për prekje dhe bisedë njerëzore.

Postierët fluturues dhe gënjeshtra e madhe e kohës së lirë 

Qielli ishte obsesioni i madh i radhës. Aeroplanët tashmë fluturonin komercialisht dhe të gjithë ëndërronin për Çarls Lindberg. Revistat ishin plot me ilustrime të "postierëve fluturues" me motorë të vegjël reaktivë në shpinë dhe qytetarë që zbrisnin në çatitë e rrokaqiejve në "aeroplanët" e tyre personalë. 

 

Ata parashikuan se qytetet do të mbuloheshin me kupola të mëdha qelqi për të kontrolluar motin - shi vetëm të enjteve në mbrëmje për të lagur parqet dhe diell të përhershëm në fundjavë.

 

Por parashikimi më naiv kishte të bënte me kohën e lirë. Ekonomistët e kohës, përfshirë të famshmin Xhon Mejnard Kejns në esetë e tij mbi "mundësitë ekonomike të nipërve dhe mbesave tona", parashikuan se deri në vitin 2025, për shkak të progresit, njerëzit do të punonin vetëm 15 orë në javë. Ata imagjinuan një shoqëri artistësh dhe filozofësh që shijonin bollëkun e krijuar nga makineritë.

A jemi përralla apo makthi i tyre? 

Nga perspektiva jonë në vitin 2025, ky optimizëm duket ëmbëlsisht naiv - madje komik. Por atëherë, pas luftës që shkatërroi botën, besimi në shkencë ishte një shpëtim. Ishte provë se njerëzimi mund të bënte më mirë. Fantazia nuk ishte e errët, por e ndritshme, e pastër dhe plot shpresë.

Dhe ja ku jemi: nuk kemi makina fluturuese, por kemi dronë që shpërndajnë pako. 

Nuk jetojmë nën kupola qelqi, por kemi video-thirrjet që Tesla imagjinoi një shekull më parë. Nëse një vajzë nga viti 1925 do të shfaqej sot, patjetër që do të shtanget. Do të shihte njerëz duke ecur me kokën ulur, duke parë pllakat që shkëlqejnë në vend që të shikonin rrokaqiejt. Do të shihte heshtje aty ku priste zhurmën e motorëve.

A e kemi përmbushur ëndrrën e tyre? Apo thjesht ia kemi shtuar TikTok-un magjisë së tyre? Ndoshta e vërteta qëndron në atë ritëm të përjetshëm të Çarlestonit që na tregon se, pavarësisht teknologjisë, gjëja më e rëndësishme që ka shpikur njeriu është shpresa se njëqind vitet e tjera do të jenë edhe më të mira.

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR