Portreti i kancelarit të ardhshëm gjerman Fridrih Merc
- Kancelari i ri i ardhshëm i Gjermanisë, Fridrih Merc, i karakterizuar shpesh si "njeri nga e kaluara", po ngjall shpresa të mëdha tek aleatët e tij evropianë, të cilët mbështeten fuqimisht në mbështetjen e Gjermanisë, transmetojnë agjencitë e huaja.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 11:03, 10 prill, 2025

Berlin, 10 prill 2025 (MIA) - Kancelari i ri i ardhshëm i Gjermanisë, Fridrih Merc, i karakterizuar shpesh si "njeri nga e kaluara", po ngjall shpresa të mëdha tek aleatët e tij evropianë, të cilët mbështeten fuqimisht në mbështetjen e Gjermanisë, transmetojnë agjencitë e huaja.
Politikani konservator (69), grupi i të cilit CDU/CSU fitoi zgjedhjet parlamentare më 23 shkurt, ka kaluar një fazë vendimtare në përpjekjen e tij për postin e lartë pasi njoftoi një marrëveshje koalicioni me qendrën e majtë për të formuar një qeveri.
Rruga ka qenë e gjatë për juristin me profesion, i cili u rrëzua nga pushteti në fillim të viteve 2000 nga Angela Merkel, ndërsa e konsideronte veten pasardhësin natyror të Helmut Kol, babait të bashkimit gjerman, shkruajnë mediat evropiane.
Një burrë që nuk ka mbajtur kurrë një pozicion ministror po merr përsipër udhëheqjen e fuqisë kryesore të Evropës në një kohë trazirash gjeopolitike, ndërsa Evropa kërkon të çlirohet nga patronazhi ushtarak i një aleati amerikan gjithnjë e më të paparashikueshëm për të siguruar mbrojtjen e saj kundër kërcënimit rus.
Si një mbështetës i qartë i ofrimit të ndihmës për Ukrainën, ai tërhoqi vëmendjen duke njoftuar, me partnerët e tij në pushtet, Socialdemokratët (SPD), një program shpenzimesh të paprecedentë prej disa qindra miliardë eurosh për të riarmatosur dhe modernizuar Gjermaninë, e cila deri më tani ka qenë shumë e përkushtuar për të ruajtur disiplinën buxhetore.
Revista javore “Ekonomist” në një editorial me shumë lëvdata, shkroi se ishte "një fillim fantastik për Fridrih Merc".
Por guximi, që këtij milioneri dhe piloti amator i sjell lëvdatat e aleatëve evropianë në këtë fazë në Gjermani shkakton gjithashtu kritika dhe pakënaqësi.
“Shumë gjëra do të varen nga aftësia e Fridrih Merc për të shitur idenë se ‘siguria tani është përparësi absolute’ dhe se huamarrja për të është ‘e pashmangshme’”, tha politologia Ursula Munk nga Universiteti në Tucing.
Gjatë fushatës zgjedhore, ai premtoi një zhvendosje të qartë djathtas nëse bëhej kancelar, duke shtrënguar rregulloret e migracionit pas disa sulmeve vdekjeprurëse që përfshinin të huaj.
Që nga zgjedhja e tij si kreu i Bashkimit Demokristian (CDU) në vitin 2022, ai ka njoftuar një përmbysje të plotë të politikës bujare të Angela Merkel për pranimin e emigrantëve (2005-2021).
Sipas tij, vetëm një politikë kufizuese ndaj migrantëve mund ta ndalojë në mënyrë efektive AfD-në, e themeluar në vitin 2013 nga ish-kuadro të CDU-së, me të cilën ai përjashtoi çdo bashkëpunim pavarësisht ftesave nga Donald Tramp dhe bashkëpunëtorët e tij.
Njeriu që premtoi të rivendoste krenarinë e Gjermanisë do të duhet gjithashtu të gjejë një mënyrë për të zgjidhur krizën e thellë të modelit industrial të vendit, e cila mund të përkeqësohet më tej nga tarifat e reja nga Trampi.
Merc është një liberal i palëkundur dhe mbi të gjitha dëshiron të zvogëlojë taksat e korporatave dhe burokracinë.
“Shumë në CDU mendojnë se Merc dhe Tramp mund të shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Merc e njeh SHBA-në, ai bëri një karrierë në sektorin privat, kështu që është një biznesmen, gjë që mund t’i pëlqejë ‘krijuesit të marrëveshjeve’ në Shtëpinë e Bardhë”, shkruan revista Shpiegel.
Foto: Arkivi i MIA-s