• e enjte, 12 shkurt 2026

Policia identifikoi të dyshuarin për të shtënat vdekjeprurëse në një shkollë në Kanada

Policia identifikoi të dyshuarin për të shtënat vdekjeprurëse në një shkollë në Kanada

Tambler Rixh, 12 shkurt 2026 (MIA) - Policia dje e identifikoi sulmuesin e dyshuar për të shtënat vdekjeprurëse në një shkollë në Kanadanë perëndimore si një grua e vendit 18-të vjeçare, transmetoi DPA.

Policia gjithashtu e rishikoi numrin e të vdekurve nga të shtënat masive të së martës në provincën e Kolumbisë Britanike nga 10 në nëntë persona, përfshirë autorin e dyshuar. Ata thanë se viktimat përfshinin një mësues, si dhe tre nxënëse femra dhe dy nxënës meshkuj të moshës 12 deri në 13 vjeç.

Dy trupa të tjerë – ai i nënës 39-vjeçare të të dyshuarit dhe gjysmëvëllait të saj 11-vjeçar – u gjetën në një shtëpi jo shumë larg shkollës. Besohet se vajza 18-vjeçare fillimisht vrau anëtarët e familjes së saj përpara se të shkonte në shkollë.

Të paktën dy nga personat e lënduar janë në gjendje kritike, njofoti policia.

Së pari nuk u njoftuan informata për motivet. Marrëdhënia mes të dyshuarës dhe viktimave ende është pjesë e hetimit, kumtoi policia.

Një zyrtar policie tha se shërbimet e emergjencës ishin thirrur në adresën e shtëpisë së të dyshuarës disa herë gjatë viteve të fundit. Gjatë këtyre vizitave u sekuestruan edhe armë, duke shtuar se aktualisht nuk kishte armë të regjistruara në emër të të dyshuarës.

Ai foli për problemet e shëndetit mendor të të dyshuarës, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ai gjithashtu vuri në dukje se policia e identifikoi të dyshuarën sepse ajo ishte identifikuar publikisht në mediat sociale, duke shtuar se ishte regjistruar si mashkull në lindje.

Policia aktualisht nuk ka informacion nëse ajo ka përjetuar ngacmim apo diskriminim në shkollë, tha ai. E dyshuara e la shkollën katër vjet më parë.

Në një fjalim në Dhomën e Poshtme dje, kryeministri kanadez Mark Karni e përshkroi Tambler Rixh (Tumbler Ridge), ku ndodhën të shtënat, si "një qytet minatorësh, mësuesish, punëtorësh ndërtimi - familje që ndërtuan jetën e tyre atje, njerëz që ishin gjithmonë aty për njëri-tjetrin". 

Ai shpalli gjithashtu shtatë ditë zie kombëtare. sa/

Foto: MIA arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR