Policia e Mançesterit: Një nga viktimat në sulmin para sinagogës mund të jetë qëlluar nga një plumb policie
- Një nga viktimat në sulmin në Mançester me siguri është qëlluar nga një armë zjarri e përdorur nga policia, kumtoi sot Policia Metropolitane e Mançesterit.
- Post By Sara Ademi
- 15:26, 3 tetor, 2025
Mançester, 3 tetor 2025 (MIA) - Një nga viktimat në sulmin në Mançester me siguri është qëlluar nga një armë zjarri e përdorur nga policia, kumtoi sot Policia Metropolitane e Mançesterit.
Në një kumtesë për publikun, shefi i policisë, Ser Stiven Uotson, tha se një patolog nga Ministria e Punëve të Brendshme e Britanisë së Madhe, pas analizave paraprake, përcaktoi se njëri nga të ndjerit kishte një plagë që përputhet me një plagë me armë zjarri, raportoi Skaj njuz britanik.
"Sipas informacionit të disponueshëm deri më sot, i dyshuari, Xhihad al-Shami, nuk ishte i armatosur me armë zjarri. Të shtënat e vetme u qëlluan nga oficerë të autorizuar të policisë, të cilët po përpiqeshin ta pengonin sulmuesin të hynte në sinagogë dhe të shkaktonte dëme të mëtejshme ndaj anëtarëve të komunitetit hebre", tha Uotson.
Ai shtoi se, në pritje të rezultateve përfundimtare të ekspertizës mjeko-ligjore, ekziston mundësia që lëndimi të ketë qenë një pasojë tragjike dhe e paparashikuar e veprimit emergjent që oficerët e tij duhej të ndërmerrnin për të parandaluar "këtë sulm brutal".

Policia njoftoi gjithashtu se një person tjetër, nga tre të plagosurit që ndodhen ende në spital, pësoi një plagë me armë zjarri, por se lëndimi nuk ishte kërcënues për jetën.
Sipas hetimit, dy viktimat ishin shumë afër derës së përparme të sinagogës në kohën e sulmit.
Më herët, tre persona u vranë dje, përfshirë sulmuesin, i cili u qëllua për vdekje nga policia, në një sulm pranë një sinagoge në Mançester.
Sulmi me makinë dhe thikë ndodhi pranë sinagogës së kongregacionit hebraik në Hiton Park gjatë kremtimit të festës hebraike Jom Kipur. sa/
foto: MIA arkivi