Podesta: Sofja dyshon se sinjali GPS i aeroplanit të Fon der Lajenit gjatë uljes në Bullgari është bllokuar nga Rusia
- Mund të konfirmojmë se ka pasur bllokim të sinjalit GPS në aeroplanin me të cilin kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen dje ka udhëtuar për në qytetin Pllovdiv në Bullgari, por edhe krahas kësaj, aeroplani ka ateruar në mënyrë të sigurt, deklaroi sot zëvendës zëdhënësja kryesore e KE-së, Ariana Podesta.
- Post By Fami Bajrami
- 14:28, 1 shtator, 2025
Bruksel, 1 shtator 2025 (MIA) - Mund të konfirmojmë se ka pasur bllokim të sinjalit GPS në aeroplanin me të cilin kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen dje ka udhëtuar për në qytetin Pllovdiv në Bullgari, por edhe krahas kësaj, aeroplani ka ateruar në mënyrë të sigurt, deklaroi sot zëvendës zëdhënësja kryesore e KE-së, Ariana Podesta.
"Kemi marrë informacion nga autoritetet bullgare se dyshojnë se kjo është për shkak të ndërhyrjes së dukshme nga ana e Rusisë. Sigurisht, jemi të vetëdijshëm mbi kërcënimet dhe frikësimet që janë një komponentë e rregullt e sjelljes armiqësore të Rusisë", theksoi Podesta.
Zëdhënësja shtoi se ky incident vetëm sa do ta forcojë më tej angazhimin e palëkundur të BE-së për forcimin e aftësive mbrojtëse dhe mbështetjen e Ukrainës dhe konfirmon urgjencën e misionit që Fon der Lajen këto ditë e kryen në shtetet anëtare "në vijën e parë".
"Ajo nga dora e parë ka parë sfidat e përditshme nga kërcënimet që vijnë nga Rusia dhe aleatët e saj. Sigurisht, pas incidentit, BE-ja do të vazhdojë të investojë edhe më shumë në shpenzimet e mbrojtjes dhe gatishmërinë e Evropës", shton Podesta.
Zëdhënësja e KE-së për transport, Ana-Kajza -Itkonen, kujtoi se në qershor të këtij viti, 13 shtete anëtare i dërguan një letër Komisionit në të cilën theksuan se dukuri të tilla po bëhen praktikë e përditshme dhe kanë ndikime serioze në trafikun detar dhe ajror, kështu që BE-ja, në bashkëpunim me autoritetet kompetente dhe ofruesit e shërbimeve, zhvillon strategji për ta parandaluar këto ngjarje.
"Për t'u përballur me këtë situatë, ne kemi sanksionuar disa kompani që kanë ndërmarrë aktivitete që kanë ndikuar mbi shtetet tona anëtare", deklaroi Itkonen, duke shtuar se disa kompani që janë vendosur nën regjimin e sanksioneve janë të lidhura me Rusinë.
Foto: arkivi i MIA-s