• e shtunë, 04 janar 2025

Plenkoviq: Sot do të nënshkruajmë Protokollin për ngritjen e masave të sigurisë në shkolla

Plenkoviq: Sot do të nënshkruajmë Protokollin për ngritjen e masave të sigurisë në shkolla

Zagreb, 2 janar 2025 (MIA) - Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, në seancën e parë të Qeverisë së këtij viti njoftoi se pasdite në Ministrinë e Arsimit do të nënshkruhet Protokolli për rritjen e masave të sigurisë në institucionet shkollore dhe një nga masat është punësimi i personave me aftësitë e nevojshme për mbrojtje.

Pas tragjedisë që ndodhi në ditën e fundit të gjysmëvjetorit të parë në shkollën fillore të Zagrebit “Preçko”, Komisioni përgatiti propozimin për masa themelore për forcimin e nivelit të sigurisë në shkolla, dhe siç njoftoi kryeministri Plenkoviq në seancën e Qeverisë, sot pasdite do të nënshkruhet Protokolli për Masat e Sigurisë nga Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Rinisë Radovan Fuks dhe të gjitha palët e përfshira.

"Qëllimi i përbashkët është ngritja e masave të sigurisë në të gjitha institucionet shkollore. Ajo që ne kemi vlerësuar si zgjidhja më e mirë afatgjatë është punësimi në institucionet shkollore, nëpërmjet sistemimit dhe edukimit të atyre personave që kanë aftësitë e nevojshme për mbrojtje dhe njëkohësisht janë të sensibilizuar dhe edukuar posaçërisht për të punuar me fëmijët, prindërit dhe mësuesit dhe të cilët pastaj gjithmonë do të ndihmonin në ngritjen e sigurisë së shkollave në një nivel më të lartë pas kësaj tragjedie të madhe që ndodhi në shkollën fillore të Preçkos”, tha Plenkoviq.

"Masat e shpejta si mbyllja e dyerve, ndërrimi i dyerve, sistemet e reja të sigurisë tashmë janë duke u zhvilluar dhe ekipet e policisë lokale do të zhvillojnë takime me drejtorët e shkollave për çështjet e sigurisë”, shtoi kryeministri kroat. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s



 

QËNDRONI TË LIDHUR