• e hënë, 23 dhjetor 2024

Platforma X suspendon profilin e Hamneit në gjuhën hebraike

Platforma X suspendon profilin e Hamneit në gjuhën hebraike

Uashington, 28 tetor 2024 (MIA) - Rrjeti social X herët në mëngjes e suspendoi profilin e ri të liderit të lartë të Iranit, ajatollah Ali Hamnei ku u publikuan mesazhe në gjuhën hebraike.

Platforma X, ish Tuiter është në pronësi të Ilon Maskut. 

Llogaria u suspendua me një njoftim të shkurtër se "X pezullon profilet që shkelin rregullat e platformës", por nuk është e qartë se cila pjesë e rregullave është shkelur.

Pezullimi vjen pas sulmit të parë të hapur të Izraelit ndaj Iranit këtë fundjavë. Në profil është publikuar një mesazh ku thuhet se “regjimi sionist ka gabuar në vlerësimin e tij për Iranin”, duke shtuar: “Ne do ta bëjmë atë të kuptojë se çfarë force, aftësie dhe vullneti posedon populli iranian”, raportojnë mediat izraelite.

Rregullat e X ndalojnë "përmbajtje nga subjektet e dhunshme dhe të urrejtjes", por mundësohen përjashtime për postet shtetërore dhe qeveritare.

Në fjalimin e tij të djeshëm, Hamnei deklaroi se sulmi i Izraelit në përgjigjen e sulmit me raketa balistike të Iranit nuk duhet të mbivlerësohet apo nënvlerësohet, por nuk bëri thirrje për hakmarrje.

Profili i ri në hebraisht u hap me përshëndetjen islamike: "Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit" ndjekur nga një mesazh në anglisht në përputhje me fjalimin e tij të djeshëm.

Kabineti i Hamneit ka profile të shumta të platformës X në gjuhë të ndryshme dhe ka postuar mesazhe në këtë rrjet prej kohësh. Kjo nuk është hera e parë që llogaria e Hameneit suspendohet nga mediat sociale – në shkurt, llogaritë e tij në Fejsbuk dhe Instagram u pezulluan për mbështetjen e Hamasit palestinez pas sulmeve të 7 tetorit në Izrael.

Rrjetet sociale për vite me radhë kanë kufizuar qasjen e Iranit në platformat e tyre. qa/

Foto: printskrin

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR