Pjesëmarrja e parë e BE-së në Samitin e ASEAN-it
- Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, sot dhe nesër do të marrë pjesë në Samitin e 47-të të Asociacionit të vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur.
Bruksel, 26 tetor 2025 (MIA) - Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, sot dhe nesër do të marrë pjesë në Samitin e 47-të të Asociacionit të vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur.
Kjo do të jetë pjesëmarrja e parë e Bashkimit Evropian në një Samit të ASEAN-it, i cili, siç kumtoi Këshilli Evropian, tregon rëndësinë në rritje të bashkëpunimit midis Unionit dhe kësaj organizate të vendeve nga rajoni i Azisë Juglindore.
Në prag të nisjes së tij për në Kuala Lumpur, Koshta tha se pjesëmarrja e tij në këtë Samit është një sinjal i rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve midis BE-së dhe ASEAN-it.
"Është një njohje për BE-në si një partner i besueshëm dhe i parashikueshëm për ASEAN-in. Ne jemi dy organizata rajonale që ndajmë të njëjtat qëllime: ndërtimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit përmes bashkëpunimit dhe integrimit", theksoi Koshta.
Sipas Këshillit Evropian, BE-ja dhe ASEAN-i si partnerë kanë një interes të përbashkët për përmirësimin e sigurisë, tregtisë së hapur dhe lidhshmërisë.
"Riafirmimi i angazhimit të fortë të Unionit ndaj multilateralizmit efektiv dhe një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla do të jetë një mesazh kyç në fjalimet e kryetarit Koshta, shtohet në kumtesën.
Parashikohet në margjinat e Samitit të ASEAN, Koshta të mbajë takime dypalëshe me disa liderë nga rajoni.
Partneriteti midis BE-së dhe ASEAN-it është intensifikuar vitet e fundit, që kur në vitin 2020 të dy organizatat kanë rritur bashkëpunimin e tyre, duke u bërë partnerë zyrtarë strategjikë dhe duke sjellë një epokë të re marrëdhëniesh më të ngushta politike dhe ekonomike. Samiti i parë BE-ASEAN u mbajt në Bruksel më 14 dhjetor 2022, në 45-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy organizatave.
Koshta nesër do të udhëtojë nga Kuala Lumpur për në Abu Dabi, ku do të takohet me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), sheikun Mohamed bin Zajed al Nahjan.
Është parashikuar që Koshta dhe Al Nahjan të shkëmbejnë pikëpamje mbi marrëdhëniet dypalëshe midis BE-së dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe për çështje kyçe ndërkombëtare dhe rajonale. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s