• e diel, 22 dhjetor 2024

Pisonero: Pagesat e mjeteve të para nga Plani për Rritje të Ballkanit Perëndimor janë të mundura së shpejti

Pisonero: Pagesat e mjeteve të para nga Plani për Rritje të Ballkanit Perëndimor janë të mundura së shpejti

Bruksel, 16 tetor 2024 (MIA) – Komisioni Evropian punon në miratimin e agjendës së reformave të dorëzuara nga pesë prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe në përgatitjen e marrëveshjeve në bazë të të cilave së shpejti do të jetë e mundur pagesa e mjeteve të para në kuadër të Planit të Rritjes për Rajonin, informoi sot zëdhënësja e KE-së për politikë fqinjësore, zgjerim dhe partneritet ndërkombëtar, Ana Pisonero.

“Pasi vendet anëtare (të BE-së) më 11 tetor dhanë mendim pozitiv për agjendën e reformave që ishin dorëzuar nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, Komisioni tani do të kalojë drejt hapit të ardhshëm – miratim formal të agjendës së reformave. Kjo dukshëm do të ndodhë së shpejti”, tha Pisonero. 

Ajo shtoi se paralelisht me miratimin e agjendave, Komisioni Evropian punon në përgatitjen e marrëveshjeve me pesë vendet partnere nga Ballkani Perëndimor për Mekanizmin e reformave dhe rritjes dhe për hua, që do të mundësojë pagesë të mjeteve të parapara për parafinancim në kuadër të Planit të rritjes. 

“Këto marrëveshje duhet të nënshkruhen dhe ratifikohen nga vendet anëtare, prandaj përcaktimi i afatit kohor nuk është një qind për qind në duart tona. Por, pritjet janë se pagesat janë të mundshme së shpejti”, shtoi Pisonero.

Deri në afatin përfundimtar, 1 tetor, propozim agjendat e tyre të reformave në KE i dorëzuan të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Bosnjës e Hercegovinës, ku procedura për miratimin e saj është bllokuar në procedurat ligjore. 

Eurokomisionari për zgjerim dhe politikë fqinjësore Oliver Varheji dje paralajmëroi se pritet që pagesat e para të mjeteve në kuadër të Planit të rritjes të Ballkanit Perëndimor të realizohen qysh në fillim të këtij muaji. 

“Tani po bie ora me qëllim që vendet kandidate të nisin zbatimin e reformave në mënyrë që të përparojmë me pagesën e mëtejshme të mjeteve”, deklaroi Varheji pas mbajtjes së Konferencës së Dytë Ndërqeveritare BE-Shqipëri, me të cilën vendi filloi negociatat e anëtarësimit në grupe.

Varheji kujtoi se Plani i Komisionit Evropian për rritjen e Ballkanit Perëndimor synon të sigurojë investime shtesë në infrastrukturë, por edhe të ndihmojë vendet e rajonit të krahasojnë reformat thelbësore që janë të nevojshme për t'u bërë anëtarë të Bashkimit. Për këtë qëllim janë dhënë gjashtë miliardë euro në formën e granteve dhe kredive, pagesa e të cilave varet nga arritja e rezultateve në zbatimin e agjendave të përcaktuara reformuese. fc/

Fotografia: Skrinshot

QËNDRONI TË LIDHUR