• e premte, 05 dhjetor 2025

Pilotët e "Lufthansas" do të mbajnë grevë, priten ndërprerje të mëdha në komunikacionin ajror

Pilotët e

Këln, 30 shtator 2025 (MIA) - Pilotët e kompanisë ajrore gjermane "Lufthansa" sot votuan për grevë, që pritet të shkaktojë ndërprerje të mëdha për udhëtarët. 

Sipas të dhënave zyrtare, në anketë morën pjesë 90 për qind e pilotëve të "Lufthansas" dhe 95 për qind e pilotëve të transportit të mallrave të kësaj kompanie ajrore, ndërsa mes tyre 88 për qind e pilotëve në sektorin komercial dhe 96 për qind në sektorin e transportit me kargo votuan për fillimin e grevës.

Data konkrete për fillimin e grevës ende nuk është publikuar. 

Arsyeja kryesore e mosmarrëveshjes janë pensionet për rreth 4.800 pilotë. Sindikata kërkon kontribute më të larta nga punëdhënësit në sistemin pensional të kompanisë, pasi që nga reforma në vitin 2017, niveli i tyre është ulur për shkak të normave të ulëta të interesit.

"Lufthansa" i hodhi poshtë këto kërkesa si të paqëndrueshme dhe thekson se aktualisht nuk ka mjete të mjaftueshme për rritjen e kontributeve, raporton "Tageshau". 

Udhëtarët duhet të përgatiten për kufizime të konsiderueshme gjatë grevës së ardhshem. "Lufhansa" ishte e detyruar të anulojë pothuajse të gjitha fluturimet e saj gjatë protestave të mëdha të mëparshme. 

Protesta vjenë gjatë kohës kur kompania ajrore kalon nëpër një program për ristrukturim.

Dje u njoftua se kompania deri në vitin 2030 do të shfuqizojë rreth 4.000 vende pune administrative, ndërsa sektori operativ do të mbetet kryesisht i pandryshuar. Këto masa e komplikojnë edhe më tej procesin e negociatave dhe krijojnë tensione mes punonjësve. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR