Pezeshkian para OKB-së: Ne nuk kërkojmë armë bërthamore
- Presidenti iranian Masud Pezeshkian, në fjalimin e sotëm para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, përsëriti se vendi i tij nuk ka synim të zhvillojë armë bërthamore.
Nju-Jork, 24 shtator 2025 (MIA) - Presidenti iranian Masud Pezeshkian, në fjalimin e sotëm para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, përsëriti se vendi i tij nuk ka synim të zhvillojë armë bërthamore.
"Deklaroj edhe një herë para kësaj Asambleje se Irani nuk ka kërkuar kurrë dhe nuk do të kërkojë kurrë të ndërtojë një bombë bërthamore", u tha Pezeshkian liderëve botërorë të mbledhur në Nju Jork.
"Ne nuk po kërkojmë armë bërthamore," përsëriti ai.
Pezeshkian gjithashtu kritikoi ashpër Izraelin për sulmet e tij ndaj Iranit në qershor.
Ai deklaroi se sulmet, të pasuara me sulmet ajrore amerikane, përfaqësonin një "tradhti të rëndë të diplomacisë".
"Ju të gjithë ishit dëshmitarë se në qershor të këtij viti vendi im u ekspozua ndaj agresionit brutal, në shkelje të qartë të parimeve më themelore të së drejtës ndërkombëtare", tha Pezeshkian.
Presidenti iranian kritikoi gjithashtu vendimin e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe për të rinovuar sanksionet e rrepta të OKB-së në mosmarrëveshjen mbi programin bërthamor të Iranit, duke i akuzuar ato se nuk janë më "partnerë të besuar". ls/
Foto: EPA