• e hënë, 23 dhjetor 2024

Peskov: Kërcënimet e Trampit ndaj vendeve të BRIKS-it për dollarin do të kenë kundërefekt

Peskov: Kërcënimet e Trampit ndaj vendeve të BRIKS-it për dollarin do të kenë kundërefekt

Moskë, 2 dhjetor 2024 (MIA) - Kremlini ka thënë se çdo përpjekje e SHBA-së për të detyruar vendet e tjera të përdorin dollarin do të ketë kundërefekt pasi presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Tramp kërcënoi se do të vendosë taksë për të gjitha vendet e BRIKS-it nëse përpiqen të krijojnë valutën e tyre, transmetojnë mediat britanike.

Trampi kërkoi dje që vendet anëtare të BRIKS-it të obligohen të mos krijojnë valutë të re dhe të mos mbështesin asnjë valutë tjetër që mund të zëvendësojë dollarin në tregtinë ndërkombëtare. Trampi ka paralajmëruar se në të kundërtën mund të vendosë taksë deri 100 për qind.

Organizata BRIKS është krijuar pas takimit të liderëve të Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës në Shën Peterburg në vitin 2006. Katër vjet më vonë, Republika e Afrikës së Jugut iu bashkua formatit i cili u riemërua në BRIKS. Që atëherë, vende të tjera i janë bashkuar formatit. Ata një kohë të gjatë bisedojnë çështjen e zëvendësimit të dollarit, por ky diskutim mori intensitet pasi Perëndimi vendosi sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

"Gjithnjë e më shumë vende po kalojnë në përdorimin e valutës nacionale në tregtinë dhe aktivitetin e tyre të jashtëm ekonomik", ka thënë Peskovi sot në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve për deklaratën e Trampit.

"Nëse Uashingtoni përdor forcën ekonomike për të detyruar vendet e BRIKS të përdorin dollarin, kjo do të ketë efektin e kundërt", thekson Peskovi.

"Kjo vetëm do të forcojë tendencën për të kaluar në valutat kombëtare në tregtinë ndërkombëtare", thotë zëdhënësi i Kremlinit, duke shtuar se "dollari ka filluar të humbasë tërheqjen e saj si valutë rezervë për shumë vende".

foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR