Pentagoni: Mbështetje e re ajrore për mbrojtje të rutave tregtare në Detin e Kuq
- – SHBA-ja do të shpërndajë edhe një aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme, njoftoi zëdhënësi i Pentagonit, Shon Parnel, duke e theksuar nevojën e mbrojtjes së rutave tregtare në rajon.
- Post By Fitore Curri
- 08:36, 2 prill, 2025

Uashington, 2 prill 2025 (MIA) – SHBA-ja do të shpërndajë edhe një aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme, njoftoi zëdhënësi i Pentagonit, Shon Parnel, duke e theksuar nevojën e mbrojtjes së rutave tregtare në rajon.
Ky vendim vijon pas sulmeve të fundit ndaj aeroplanmbajtëses “Hari S.Truman” në Detin e Kuq, për të cilat përgjegjësinë e morën kryengritësit jemen huthët, të mbështetur nga Irani. Uashingtoni, i cili gjatë dy javëve të fundit ka kryer sulme ajrore ndaj caqeve në Jemen, ende nuk i konfirmoi këto sulme.
Nga fillimi i luftës në Gazë në tetor të vitit 2023, huthët rregullisht sulmojnë anije tregtare në Detin e Kuq.
Sipas Pentagonit, “Hari S. Truman” do t’i bashkëngjitet aeroplanmbajtësi “Karl Uinson”, i cili për momentin është stacionuar në Rajonin Indian-Paqësor. Qëllimi i këtij dislokimi është “ruajtja e qëndrueshmërisë rajonale, kthimi i agresionit dhe mbrojtja e rrugëve tregtare”, thuhet në deklaratën e Parnelit.
Në të njëjtën kohë, ministri amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset urdhëroi dërgimin e skuadriljes shtesë dhe forca ajrore në rajon që të rritet aftësia për mbrojtje dhe mbështetje ajrore, shtoi Parnel.
Huthët thonë se gjatë sulmeve amerikane ndaj qytetit bregdetar Hodeida në pjesën perëndimore të Jemenit humbën jetën tre, ndërsa dy ishin lënduar, bëhet e ditur në kumtesën e Ministrisë jemene të Shëndetësisë, të publikuar mbrëmë vonë. fc/
Foto: Arkivi