• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Peleshi në hapjen e bazës së NATO-s në Shqipëri: Gjithçka mund të pritet nga fronti lindor, duhet të jemi të përgatitur

Peleshi në hapjen e bazës së NATO-s në Shqipëri: Gjithçka mund të pritet nga fronti lindor, duhet të jemi të përgatitur

Tiranë, 4 mars 2024 (MIA) - Në solemnitetin e hapjes së bazës ajrore në Kuçovë, ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi deklaroi sot se kjo bazë do të jetë si një pikë strategjike e rëndësishme për operacionet e NATO-s në mbështetje dhe mbrojtje të paqes, si dhe për misionet dhe operacionet e Aleancës.

Peleshi deklaroi se baza e NATO-s në Kuçovë ka kapacitetin e nevojshëm për të mbështetur përpjekjet tona të përbashkëta në përballje me fatkeqësitë natyrore.

“Pozicioni gjeografik i favorshëm mund ta kthejë këtë vend në një nyjë lidhëse të vlefshme për të gjitha vendet e rajonit tonë. Në këtë kontekst, ndihma dhe mbështetja që Shqipëria mund të japë për vendet fqinje na bën të ndihemi më të vlefshëm se kurrë, por edhe më të përkushtuar se kurrë për të qenë në lartësinë e duhur përballë çdo situate”, deklaroi ai.

Ministri tha më tej se “jo më larg se dy vite më parë, askush nga ne nuk do ta kishte menduar kurrë se Evropa do të përballej me një agresion të tillë të egër ndaj një populli krejtësisht të pafajshëm, siç dhe po ndodh me agresionin rus në Ukrainë”.

“Pamjet e një lufte të tillë konvencionale, të ngjashme me tmerret e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, tronditën bindjen se siguria në shekullin ku jetojmë nuk është e pacenueshme. Gjithçka pritet nga fronti i lindjes! Dhe ne duhet të jemi të përgatitur të mbrohemi me të vetmen formulë fituese në tavolinë: bashkimin e forcave dhe kapaciteteve tona mbrojtëse”, deklaroi Peleshi.

Ai siguroi se Shqipëria do të jetë aty, e gatshme për të bërë pjesën e saj nëse koha do ta kërkojë.

“Në përballjen me të keqen nuk ka kombe të mëdhenj dhe të vegjël. Sigurisht, numrat vlejnë, por vlen më shumë forca e shpirtit të një kombi, dëshira për të mbijetuar, dinjiteti për t’u rreshtuar në anën e drejtë të historisë, ku, ne, shqiptarët jemi të ankoruar prej shekujsh”, deklaroi ai.

Ministri Peleshi tha se baza që inaugurohet sot është një aset për të gjithë rajonin.

“Shqipëria do të vijojë përpjekjet e saj për të vendosur në përdorim të NATO-s edhe Portin Ushtarak të Porto Romano-s, që bashke me projektin strategjik të Korridorit i 8-të i siguron Aleancës aksin më të shkurtër të kalimit nga brigjet e Adriatikut në Detin e Zi. Shpresojmë të kemi mbështetjen e vendeve aleate dhe mike në këtë projekt madhor”, theksoi Peleshi. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR