• e enjte, 04 dhjetor 2025

Pekini zyrtar: Rusia dhe Kina me "konsensus të gjerë" për Ukrainën dhe Japoninë

Pekini zyrtar: Rusia dhe Kina me

Pekin, 3 dhjetor 2025 (MIA) - Kina dhe Rusia arritën "konsensus të gjerë" për një numër çështjesh kyçe gjatë vizitës së Ministrit kinez të Punëve të Jashtme, Vang Ji, në Moskë këtë javë, kumtoi sot Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës.

Bisedimet u zhvilluan mes një aktiviteti të përforcuar diplomatik që synonte t’i jepte fund luftës në Ukrainë, si dhe në një kohë kur Pekini po kërkon mbështetje më të gjerë në mosmarrëveshjen në përshkallëzim me Tokion.

Pekini dhe Moska duhet “të vazhdojnë të koordinohen dhe të bashkëpunojnë për të kundërshtuar me vendosmëri veprimet provokuese të forcave japoneze të ekstremit të djathtë që synojnë minimin e paqes dhe stabilitetit rajonal, si dhe përpjekjet e tyre për rimilitarizim”, i tha ministri kinez i Punëve të Jashtme homologut të tij rus, Sergej Lavrov, sipas kumtesës së ministrisë.

Vang Ji e bëri këtë koment në mes të krizës më serioze diplomatike midis Pekinit dhe Tokios në vitet e fundit, pasi kryeministrja japoneze Sanae Takaiçi deklaroi muajin e kaluar se një sulm hipotetik kinez ndaj Tajvanit të qeverisur në mënyrë demokratike mund të shkaktojë një përgjigje nga Japonia.

Në një takim të veçantë, ministri kinez i Punëve të Jashtme  dhe sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Sergej Shojgu, “kryen koordinim strategjik mbi çështjet që lidhen me Japoninë dhe arritën një shkallë të lartë unanimiteti”, shtohet në kumtesën. 

Vizita e Vang Ji në Moskë përkoi me atë të të dërguarit të posaçëm të Donald Tramp, Stiv Uitkof dhe dhëndrit të presidentit amerikan, Xhared Kushner.

Sipas Kremlinit, takimi pesë-orësh midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe deputetëve e amerikanë nuk çoi në një përparim në një marrëveshje të mundshme për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Kina do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në zgjidhjen e krizës ukrainase dhe të ruajë dialogun strategjik me Moskën, i siguroi Vang Ji edhe Lavrovin dhe Shojgun, thekson Ministria kineze.

Presidenti francez Emanuel Macron, i cili këtë javë është për vizitë në Kinë, pritet gjithashtu të diskutojë për Ukrainën me Si Xhinping, vetëm disa ditë pasi ai priti ngrohtësisht homologun e tij ukrainas Volodimir Zelenskin në Paris. ls/

Foto: Arkiv 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR