• e premte, 05 dhjetor 2025

Pekin: SHBA-ja kërkon bisedime me Kinën për tarifat e Trampit

Pekin: SHBA-ja kërkon bisedime me Kinën për tarifat e Trampit

Pekin, 2 maj 2025 (MIA) - Shtetet e Bashkuara i janë drejtuar Kinës me kërkesë për bisedime rreth tarifave prej 145 për qind të vendosura nga Presidenti aktual Donald Tramp. Pekini është i hapur për dialog, kumtoi Ministria e Tregtisë e Kinës, duke sinjalizuar një mundësi për qetësimin e luftës tregtare.

Pala amerikane, sipas Pekinit, duhet të tregojë "sinqeritet" dhe të braktisë tarifat e njëanshme, duke njohur njëkohësisht nevojën për të korrigjuar praktikat tregtare "të gabuara". “Përpjekjet për të përdorur dialogun si pretekst për presion dhe shantazh nuk do të kenë sukses”, theksohet në kumtesën.

Kina ka shprehur publikisht zemërimin e saj për tarifat e larta, duke argumentuar se ato nuk mund ta ndalojnë rritjen e ekonomisë së dytë më të madhe në botë. Përveç përmes mekanizmave të propagandës, Pekini ka krijuar gjithashtu një listë të produkteve amerikane - të tilla si disa produkte farmaceutike, mikroçipa dhe motorë reaktivë - që do të përjashtohen nga tarifat hakmarrëse prej 125 për qind.

Zyrtarë amerikanë, përfshirë ministrin e Financave Skot Besent dhe këshilltarin ekonomik të Shtëpisë së Bardhë Kevin Hasett, kanë shprehur gjithashtu shpresë se së shpejti do të arrihet përparim në uljen e tensioneve tregtare.

“Kina dëshiron të flasë për tregtinë dhe këto bisedime do të zhvillohen së shpejti”, deklaroi sekretari shtetëror Marko Rubio për Foks Njuz, duke shtuar se SHBA-ja po shqyrtojnë se sa do të duhet të blejnë nga Kina në të ardhmen. Ndërkohë, Tramp dy ditë më parë deklaroi se ekziston një “shans shumë i mirë” për marrëveshje me Kinën.

Presidenti kinez Si Xhinping bëri thirrje për përshtatje ndaj kushteve të reja globale, por nuk përmendi SHBA-në. ls/

Foto: Arkiv 

 

QËNDRONI TË LIDHUR