PE hap zyrë për Ballkanin Perëndimor në Shqipëri
- Parlamenti Evropian (PE) do të hapë një zyrë në Shqipëri për të forcuar edhe më tej angazhimin e tij në Ballkanin Perëndimor, njoftuan mediat shqiptare, duke cituar një kumtesë të këtij institucioni mbrëmë. Sipas kumtesës së PE-së, zyra e re e PE-së në Tiranë do të shërbejë si një pikë kyçe kontakti midis PE-së dhe parlamenteve kombëtare, shoqërisë civile dhe partnerëve lokalë nga Ballkani Perëndimor, “në kontekstin e rritjes së tensioneve gjeopolitike dhe vrullit të rinovuar të zgjerimit të BE-së”.
- Post By Sara Ademi
- 07:54, 11 mars, 2025

Tiranë, 11 mars 2025 (MIA) - Parlamenti Evropian (PE) do të hapë një zyrë në Shqipëri për të forcuar edhe më tej angazhimin e tij në Ballkanin Perëndimor, njoftuan mediat shqiptare, duke cituar një kumtesë të këtij institucioni mbrëmë. Sipas kumtesës së PE-së, zyra e re e PE-së në Tiranë do të shërbejë si një pikë kyçe kontakti midis PE-së dhe parlamenteve kombëtare, shoqërisë civile dhe partnerëve lokalë nga Ballkani Perëndimor, “në kontekstin e rritjes së tensioneve gjeopolitike dhe vrullit të rinovuar të zgjerimit të BE-së”.
Zyra do të promovojë pozicionet dhe aktivitetet e PE-së, veçanërisht në lidhje me procesin e pranimit në BE dhe do të mbështesë demokracinë dhe reformat institucionale në rajon, shtohet në kumtesë.
Gjithashtu do të ofrojë ndihmë në përgatitjen dhe ndjekjen e vizitave zyrtare nga anëtarët e Parlamentit Evropian dhe do të forcojë bashkëpunimin me aktorët e tjerë të BE-së në terren, si dhe me organizatat ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile.
Theksohet se PE mbështet vazhdimisht perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor "duke njohur rëndësinë e tij strategjike për stabilitetin rajonal dhe projektin më të gjerë evropian". Krijimi i asaj zyre “pasqyron strategjinë më të gjerë të BE-së për të thelluar angazhimin me vendet kandidate”, raportojnë mediat shqiptare.
Nevoja jetike për të forcuar partneritetin e BE-së në Ballkanin Perëndimor po bëhet gjithnjë e më e qartë duke pasur parasysh sfidat aktuale gjeopolitike, duke përfshirë luftën e Rusisë në Ukrainë. “Formimi i një zyre të PE-së në Tiranë nënvizon angazhimin e fortë të Parlamentit për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, duke nxitur stabilitetin, demokracinë dhe marrëdhëniet më të ngushta mes BE-së dhe fqinjëve të saj”, përfundohet në kumtesë.
Aktualisht, PE ka tre përfaqësime operacionale - në Nju Jork, Xhakartë dhe Adis Abeba dhe ka vendosur të hapë një zyrë në Moldavi për të forcuar më tej angazhimin e saj në rajonin e Partneritetit Lindor. sa/