• e enjte, 19 dhjetor 2024

Pavarësia e bankave qendrore në rajonin e EJL-së mundësoi uljen e inflacionit në shkallë njëshifrore

Pavarësia e bankave qendrore në rajonin e EJL-së mundësoi uljen e inflacionit në shkallë njëshifrore

Shkup, 1 tetor 2024 (MIA) - Shtyllat për zbatimin e politikave për përballjen e goditjeve ekonomike globale janë pavarësia dhe besueshmëria e Bankave qendrore të cilat në rajonin e Evropës Juglindore në vetëm një vit kanë kontribuar në uljen e inflacionit më të lartë në pesë dekadat e fundit në norma njëshifrore, është thënë në konferencën e sotme të Dhjetë ndërkombëtare të organizuar nga Banka Popullore (BP).

Drejtori i FMN-së për Evropë, Alfred Kamer beson se pavarësia e bankave qendrore mund të jetë bazë kyçe, por se transparenca dhe llogaridhënia janë ato që balancojnë pavarësinë e bankës qendrore me parimet e demokracisë.

"Maqedonia e Veriut është shembull mbresëlënës. Krijimi i një banke qendrore të pavarur në vitin 1992 ishte çelësi për reduktimin e hiperinflacionit të fillimit të viteve 1990. Banka Popullore është renditur lartë në Indeksin e ri të pavarësisë së Bankës qendrore të FMN-së", potencoi Kamer.

Sipas drejtorit të KRBV, Mark Uzan, besimi që bankat qendrore kanë gëzuar në mbarë botën gjatë shumë viteve mund të humbet nëse shoqëria fillon të vë në dyshim angazhimin e tyre për stabilitetin e çmimeve.

"Disa gjenerata për herë të parë përjetuan rrezikun e kalimit të ekonomisë në një regjim me inflacion të lartë. Prandaj, për të rivendosur stabilitetin e çmimeve, ishte e nevojshme dhe e përshtatshme që bankat qendrore të shtrëngonin politikat përmes normave më të larta të interesit", potencoi Uzan.

Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska - Bezhoska, duke përmendur Bankën Popullore si shembull të bankës qendrore të pavarur, potencoi se dispozitat e pavarësisë janë të ndërtuara në Kushtetutë dhe Ligjin për Bankën Popullore dhe vlerësohet se kanë një nivel të lartë të përputhshmërisë me ligjin e BE-së.

"Deglobalizimi, plakja e popullsisë dhe kërcënimet klimatike, mund të zvogëlojnë kapacitetin prodhues, duke e bërë ofertën më pak elastike dhe duke krijuar kështu një "botë më të prirur ndaj inflacionit". Nga ana tjetër, përparimet e shpejta në teknologji, si inteligjenca artificiale, jo vetëm që mund të zbusin ndikimin e forcave negative të mësipërme, por edhe të rrisin potencialin për rritje. Këto transformime kërkojnë reforma të vendosura mirë në mënyrë që të rritet qëndrueshmëria e ekonomive dhe të zvogëlohen presionet e inflacionit afatmesëm", porositi Angellovska-Bezhoska. rq/

Foto: Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut

 

QËNDRONI TË LIDHUR