• e shtunë, 23 nëntor 2024

Patel: SHBA nuk do të hezitojë për ta siguruar mbrojtjen e personelit amerikan në Kosovë

Patel: SHBA nuk do të hezitojë për ta siguruar mbrojtjen e personelit amerikan në Kosovë

Uashington, 16 gusht 2024 (MIA) - Zëvendës zëdhënësi i Departamentit të shtetit, Vedant Patel, deklaroi se SHBA "nuk do të hezitojë për të bërë gjithçka që është e domosdoshme për të siguruar mbrojtjen e personelit amerikan" në Kosovë, transmetuan mediat serbe.

I pyetur se si do të reagojë Departamenti i shtetit për t'i mbrojtur jetët e ushtarëve amerikan në KFOR nga veprimet e njëanshme, pas njoftimit të Prishtinës se do ta hapë urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë, Patel tha se, edhe pse ende nuk ka dëgjuar deklarata konkrete dhe komente të përfaqësuesve në Prishtinë, SHBA "nuk do të dyshojë për të bërë gjithçka që është e domosdoshme të sigurojë mbrojtje të personelit amerikan dhe njerëzve të tyre".

Departamenti i shtetit paraprakisht kumtoi se SHBA për momentin nuk mbështet kurrfarë lëvizje për ndryshim të statusit të tanishëm të urës së Ibrit dhe se hapja e urës për qarkullim të automjeteve tani e rrit potencialin për dhunë dhe e vë popullatën lokale, si dhe ushtarët e KFOR-it, duke i përfshirë edhe amerikanët në rrezik.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenier, më 13 gusht deklaroi se për momentin ekziston një rrezik i vërtetë lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, duke i përfshirë edhe ushtarët amerikanë.

Prishtina njoftoi hapjen e urës kryesore në lumin Ibër në Mitrovicë, edhe pse Beogradi dhe serbët e veriut të Kosovës janë kundër, duke theksuar se kjo e rrezikon sigurinë e serbëve.

Në hapjen e urës kryesore në Mitrovicë për momentin kundër janë KFOR-i, BE-ja dhe OSBE-ja, të cilat besojnë se kjo çështje duhet të jetë pjesë e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR