• e premte, 22 nëntor 2024

Pas protestës së dhunshme të opozitës në Tiranë, arrestohen pesë persona

Pas protestës së dhunshme të opozitës në Tiranë, arrestohen pesë persona

Tiranë, 14 qershor 2024 (MIA) - Policia shqiptare ndaloi pesë persona pas trazirave të shkaktuara nga protesta e sotme para bashkisë së Tiranës, e organizuar nga demokratët e Berishës dhe e mbështetur nga Partia e Lirisë së Ilir Metës.

Opozita për të 12-tën herë mblodhi mbështetësit para bashkisë, me kërkesë për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe tashmë me kërkesë për lirimin e Sali Berishës.

Por në krahasim me të mëparshmet, sjellja e dhunshme e pjesëmarrësve të protestës nisi që në fillim, kur tentuan të hiqnin gardhin metalik dhe u përplasën me policinë.

Ata hodhën koktej molotovë ndaj ndërtesës, ndërsa në duar mbanin flamuj të PD-së, bomba gome dhe mjete tjera piroteknike, ndërsa ua vunë flakën edhe gomave të automobilave.

Zjarri i madh u shua, ndërsa policia u detyrua të përdorë gaz lotsjellës dhe toptha uji.

Belind Këlliçi i Partisë Demokratike tha se "kushdo që preku fondet e taksave të qytetarëve të Tiranës, që grabiti qytetarët, do të përballet me drejtësinë dhe do të shkojë aty ku e meriton".

"Demokratë, mos u mërzitni dhe mos u shqetësoni. Me betejën tuaj, me rezistencën tuaj ia dolëm të shkatërrojmë planin e Edi Ramës që donte ta linte vendin pa opozitë", akuzoi Këlliçi.

Ai shtoi se "Bashkia e Tiranës është një çerdhe korrupsioni", dhe i bëri thirrje policisë së Tiranës "të arrestojë hajdutët që janë në bashki dhe nuk guxojnë të prekin qytetarët". sa/

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR