• e premte, 05 dhjetor 2025

Pas 10 vitesh burg Libani liron Hanibal Gadafin, djalin e Moamer Gadafit

Pas 10 vitesh burg Libani liron Hanibal Gadafin, djalin e Moamer Gadafit

Bejrut, 11 nëntor 2025 (MIA)- Hanibal Gadafi, djali më i vogël i ish liderit libian Moamer el- Gadafi, është liruar pas një dekade paraburgimi pa gjyq në Liban. Lajmi u konfirmua nga Agjencia Kombëtare e Lajmeve Libaneze (NNA).

Hanibal Gadafi u mbajt në paraburgim që prej vitit 2015, nën akuzën se kishte fshehur informacion mbi zhdukjen misterioze të klerikut shiit libanez Musa al-Sadr në vitin 1978, gjatë një vizite në Libi. Në atë kohë, Hanibal ishte vetëm 2 vjeç, ndaj shumë organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e kanë cilësuar çështjen si absurde dhe politike.

Sipas NNA-së, lirimi i tij erdhi pasi avokatët paguan një garanci prej 900 mijë dollarësh, ndërsa gjykata hoqi edhe ndalimin e udhëtimit për të. Fillimisht, lirimi ishte vendosur me kusht prej 11 milionë dollarësh, por shuma u ul pas apelimit të mbrojtjes.

“Gadafi u lirua pasi avokatët e tij paguan garancinë,” njoftoi agjencia shtetërore libaneze. Hanibal u rrëmbye në Siri në vitin 2015 nga persona të armatosur, ndërsa jetonte atje me gruan dhe fëmijët e tij. Më pas, ai u dërgua në Liban, ku u shpëtua nga rrëmbyesit, por menjëherë u arrestua nga autoritetet libaneze dhe që prej asaj kohe nuk ishte gjykuar kurrë.

Në vitin 2023, ai ndërmori një grevë urie për të protestuar kundër paraburgimit të tij të zgjatur, duke përkeqësuar gjendjen shëndetësore dhe duke u shtuar presioni ndërkombëtar për lirimin e tij. Pas lirimit, Qeveria e Unitetit Kombëtar të Libisë me seli në Tripoli dhe e udhëhequr nga Abdelhamid al-Dbeiba, falënderoi autoritetet libaneze për “qëndrimin e drejtë dhe human”. “Përshëndesim qëllimet e sinqerta të udhëheqjes libaneze për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike dhe për të forcuar bashkëpunimin politik, ekonomik dhe të sigurisë mes dy vendeve,” tha qeveria në një deklaratë. 

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR