Parlamenti Evropian i dënoi "përpjekjet e Rusisë për destabilizim të Moldavisë"
- – Eurodeputetët sot me 490 vota “për”, 65 “kundër” dhe 86 “të përmbajtur” miratuan Rezolutën me të cilën dënohen “operacionet e intensifikuara hibride dhe përpjekjet për përzierjen e Rusisë” në prag të zgjedhjeve parlamentare në Moldavi më 28 shtator.
- Post By Fitore Curri
- 18:16, 10 shtator, 2025
Strasburg, 10 shtator 2025 (MIA) – Eurodeputetët sot me 490 vota “për”, 65 “kundër” dhe 86 “të përmbajtur” miratuan Rezolutën me të cilën dënohen “operacionet e intensifikuara hibride dhe përpjekjet për përzierjen e Rusisë” në prag të zgjedhjeve parlamentare në Moldavi më 28 shtator.
Në dokument theksohet se përpjekjet e vazhdueshme të Moskës për të ndërhyrë në proceset demokratike të Moldavisë kanë një qëllim të qartë për të destabilizuar vendin dhe për të ndryshuar kursin e tij demokratik dhe vendimet sovrane, veçanërisht në lidhje me anëtarësimin e ardhshëm në BE. Në Rezolutë, eurodeputetët përshëndesin angazhimin e Moldavisë për anëtarësim në BE dhe përparimin e qëndrueshëm në reforma pavarësisht "sfidave të rëndësishme të brendshme dhe të jashtme", duke përfshirë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe "kërcënimet hibride të synuara nga Kremlini".
Në dokument shprehet “mbështetja e palëkundur” e perspektivave të Moldavisë për anëtarësim në BE dhe i bëhet thirrje Këshillit Evropian që menjëherë t’i hapë bisedimet për anëtarësim me vendin për Klasterin 1 – Vlera themelore, si “njohje për përparimin e rëndësishëm në zbatimin e reformave kyçe”.
Eurodeputetët i bëjnë thirrje Unionit që të vazhdojë ta mbështesë Moldavinë në zbatimin e zgjedhjeve parlamentare të lira, të drejta dhe transparente, të cilat, siç bëhet e ditur, “duhet të sigurojnë konsolidim demokratik dhe progres të Moldavisë drejt anëtarësimit në BE”.
Me Rezolutën thirren edhe autoritetet e Moldavisë, shoqëria civile dhe BE-ja ta përmirësojnë komunikimin e tyre strategjik që të kundërshtojnë “rrëfimet e rreme të promovuara nga Rusia”.
“Reformat gjithëpërfshirëse ligjore dhe lufta kundër korrupsionit janë thelbësore, si për qëndrueshmërinë e Moldavisë ndaj ndërhyrjeve të huaja dhe kërcënimeve hibride, ashtu edhe për suksesin e reformave demokratike dhe reformave që lidhen me anëtarësimin në BE”, thuhet në dokument, i cili gjithashtu mirëpret "përpjekjet e vazhdueshme" të Moldavisë për të ndërtuar një sistem gjyqësor të pavarur, të paanshëm, të përgjegjshëm dhe profesional. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s