• e premte, 05 dhjetor 2025

Paoluçi për MIA-n: Nuk mund të ndikoni në tronditjet e jashtme, përqendrohuni në forcimin e themeleve të brendshme të rritjes ekonomike

Paoluçi për MIA-n: Nuk mund të ndikoni në tronditjet e jashtme, përqendrohuni në forcimin e themeleve të brendshme të rritjes ekonomike

Shkup, 3 korrik 2025 (MIA) - Ju nuk mund të ndikoni në tronditjet e jashtme siç është fragmentimi gjeopolitik ose rrjedha e çmimeve globale të mallrave, por mund të fokusoheni në forcimin e themeleve të brendshme të rritjes ekonomike. Përpjekjet më të forta reformuese, veçanërisht në forcimin e menaxhimit të financave publike, kapitalit njerëzor, energjetikës dhe digjitalizimit, paraqesin investim themelor në shtegun afatgjatë të rritjes së vendit, shprehet në intervistë Masimiliano Paoluçi, drejtor i Zyrës së Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, që largohet nga vendi.

Paoluçi bën të ditur se dhënia e prioritetit të gjitha këtyre reformave do të jetë me rëndësi thelbësore për mirëmbajtjen e rritjes dhe ndërtimin e ekonomisë më rezistente dhe konkurruese.

Ai vlerëson se vendi nuk bën përjashtim nga tendenca e daljes së fuqisë punëtore. Qasja e kufizuar në mundësi cilësore të punës, kujdesi cilësor shëndetësor dhe arsimi, si dhe shqetësimet për korrupsionin dhe institucionet e dobëta", shprehet Paoluçi, kontribuojnë ndjeshëm në vendimet për emigracion.

Ai porositë se emigracioni dhe plakja e popullsisë ndikojnë në sistemin e pensioneve dhe sipas Raportit të Financave Publike të Bankës Botërore për vitin 2024, pritet që në vitin 2053 numri i pensionistëve të tejkalojë numrin e të punësuarve.

Rekomandimi i Paoluçi është konsensus i gjerë nga të gjithë palët e interesuara dhe shqyrtimi i opsioneve për indeksimin e pensioneve me inflacionin për të ruajtur fuqinë blerëse të pensioneve, duke rritur gradualisht kontributet e pensioneve duke rritur harmonizimin dhe duke zvogëluar ekonominë gri, duke rritur gradualisht moshën e pensionit dhe duke vendosur programe të tregut të punës për rikualifikimin e personave të moshuar që janë të aftë të punojnë dhe masa alternative për të rritur kthimet e investimeve të fondeve të pensioneve.

Në intervistën që Drejtori i Zyrës së Bankës Botërore e dha para largimit të tij nga vendi, ai zbulon destinacionin e tij të ardhshëm ku do të punojë, dhe jep pasqyrën e tij për ekonominë në vend gjatë pesë viteve të fundit dhe flet për rëndësinë e anëtarësimit në SEPA.

Intervistën e transmetojmë të plotë: 

Z. Paoluçi, keni ardhur në vend në vitin 2020. Nga pikëpamja e sotme, sipas Jush, sa ka arritur sukses vendi në pesë vitet e fundit të ecë përpara në aspektin ekonomik?

- Duke filluar nga viti 2020, Maqedonia e Veriut është goditur nga seria krizash, por vendi ka treguar qëndrueshmëri të rezistencës ekonomike. Produkti i brendshëm bruto tejkaloi nivelin para-pandemisë në vitin 2022 dhe vazhdoi të rritet, ndërsa pagat pothuajse u dyfishuan, papunësia ra në nivel të ri historik, ndërsa inflacioni ra nga një kulm dyshifror. Megjithatë, shkalla e rritjes së ekonomisë është ende nën potencial, e penguar nga produktiviteti vazhdimisht i ulët dhe përparimi i dobët në zhvillimin e kapitalit njerëzor. Derisa maturia fiskale para krizave krijoi hapësirë për mbështetje në kohë të ekonomisë, tronditjet pasuese dobësuan performancën fiskale dhe ndikuan në qëndrueshmërinë fiskale. Rivendosja e hapësirës fiskale dhe rivendosja e disiplinës fiskale tani janë thelbësore për të siguruar politikë fiskale që do të mbështesë rritjen dhe do të ndihmojë në parandalimin e ndikimeve negative të tronditjeve të jashtme që janë në frekuencë gjithnjë e më të madhe se ndonjëherë më parë.

Ju erdhët në periudhë kur bota po përballet me një nga krizat më të rënda shëndetësore – Kovid 19. Si institucion ndërkombëtar, ju keni luajtur rol të rëndësishëm në përballjen me pasojat nga Kovid-19. Sa mjete financiare gjithsej janë dedikuar për vendin dhe për çfarë janë shfrytëzuar?

- Kovid-19 është padyshim një nga krizat më tragjike shëndetësore, sociale dhe ekonomike me të cilat është përballur bota në dy shekujt e fundit. Menjëherë pas fillimit të pandemisë, Banka Botërore miratoi kredi emergjente dhe u angazhua në financimin e emergjencave për të shpëtuar jetë dhe për të siguruar ekzsitencën. Ne mbështetëm investime kritike që synojnë forcimin e reagimit dhe rezistencës së sistemit të shëndetit publik, duke bashkëfinancuar një skemë qeveritare të subvencionimit të pagave për rreth 22.000 ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe 155.000 të punësuar në sektorin privat. Gjithsej, Banka Botërore siguroi 143 milionë dollarë për përballje me krizën.

Çfarë është ajo që si shtet duhet të bëjmë për t'u afruar me mesataren evropiane?

- Ngjashëm me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me normë mesatare të rritjes së PBB-së për kokë banori të regjistruar midis viteve 2010 dhe 2023, rritja me normat e tanishme nuk do të jetë e mjaftueshme për të tejkaluar hendekun me BE-në për sa i përket PBB-së për kokë banori. Përshpejtimi i konvergjencës do të kërkojë përpjekje ambicioze dhe të qëndrueshme për reforma për të përmirësuar lidhjen në kontekstin e rritjes së integrimit rajonal, nxitjes së inovacionit, gjenerimit të punësimit cilësor, rritjes së produktivitetit, promovimit të digjitalizimit dhe forcimit të qeverisjes fiskale. Këto përpjekje janë thelbësore për të rritur normën e mundshme të rritjes së ekonomisë dhe për të lëvizur me vendosmëri drejt niveleve të të ardhurave të BE-së. Megjithatë, reformat kërkojnë kohë për të gjeneruar rezultate afatgjata. Si të tilla, ato duhet të mirëmbahen me kalimin e kohës dhe nëpër cikle politike, duke shmangur kështu ndryshimet e shpeshta të politikave.

Parashikimet e Bankës Botërore për vitin 2025 janë se rritja ekonomike e vendit do të jetë 2.6 për qind, që është më e ulëta nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Në çfarë e bazoni këtë parashikim?

Banka Botërore përgatit parashikime në bazë të normave historike të rritjes, treguesit me frekuencë të lartë, tendencat në BE dhe pritshmëritë për perspektivat e ardhshme ekonomike. Gjatë dekadës së kaluar, rritja e Maqedonisë së Veriut ishte mesatarisht më e ulët se ajo e vendeve të krahasueshme në rajon. Parashikimet tona të rritjes së PBB-së pranverore për vitin 2025 ishin 2.6 për qind, pas pasigurisë së shprehur në politikën tregtare në atë kohë - rrezik që, edhe pse ende nuk është materializuar, mund të ndikojë negativisht në rritjen në periudhë afatmesme. Megjithatë, që atëherë, kushtet themelore për rritje duket se janë përmirësuar. Kjo do të thotë që, nëse të gjithë faktorët janë të barabartë dhe nëse nuk ndodh ndonjë krizë tjetër në muajt e ardhshëm, mund të presim që rritja e PBB-së për vitin 2025 të jetë mesatarisht 2.8%-3%. Më shumë detaje për këtë në publikimet tona të ardhshme.

Në planin gjeopolitik, ka pasiguri që sigurisht ndikon në rritjen ekonomike dhe rritjen e inflacionit. Në këtë situatë, në çfarë duhet të përqendrohet vendi?

- Megjithëse Maqedonia e Veriut nuk mund të ndikojë në tronditjet e jashtme siç është fragmentimi gjeopolitik ose rrjedha e çmimeve globale të mallrave; ajo mund të përqendrohet në forcimin e themeleve të brendshme të rritjes ekonomike. Përpjekjet më të forta për reforma, veçanërisht në forcimin e qeverisjes së financave publike, kapitalit njerëzor, qeverisjes, energjisë dhe digjitalizimit, të cilat janë në përputhje me angazhimet brenda procesit të aderimit në BE, paraqesin investim rrënjësor në shtegun afatgjatë të rritjes së vendit. Në kushte të pasigurisë së shtuar, dhënia e prioritetit për këto reforma do të jetë thelbësor për të mbështetur rritjen dhe ndërtimin e një ekonomie më rezistuese dhe konkurruese.

Trendi i daljes së fuqisë punëtore nuk anashkalon as shtetin tonë. Paga mesatare në vend është një nga më të ultat në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Cili është rekomandimi yt?

- Emigrimi është kudo fenomen kompleks dhe i larmishëm, i nxitur nga kombinimi i faktorëve ekonomikë dhe institucionalë, ndërsa Maqedonia e Veriut nuk bën përjashtim. Qasja e kufizuar e mundësive cilësore për punë, si dhe kujdesi shëndetësor dhe arsimi cilësor, si dhe shqetësimet për korrupsionin dhe institucionet e dobëta kontribuojnë ndjeshëm në vendimet për emigrimin, gjë që konfirmohet nga disa tregues, siç është Barometri i Ballkanit. Ështl interesante që, ndonëse ekziston mendim i përhapur se pagat në Maqedoninë e Veriut ngecin prapa vendeve të tjera në rajon, të dhënat e publikuara nga institutet kombëtare të statistikave zbulojnë diçka tjetër - në tremujorin e parë të vitit 2025, paga mesatare mujore bruto e raportuar në Maqedoninë e Veriut ishte 65.500 denarë (afërsisht 1065 euro), krahasuar me 840 euro në Shqipëri dhe 639 euro në Kosovë (për vitin 2024, të dhënat e fundit në dispozicion), ndërsa jemi gjithashtu të vetëdijshëm për paga të mëdha në zarfe që nuk raportohen pavarësisht tatimit të ulët të të ardhurave personale.

Dalja e fuqisë punëtore ndikon edhe në stabilitetin e fondit pensional. A nevojiten reforma në këtë pjesë?

- Në fakt, pritet migrim, së bashku me plakjen e popullsisë, pritet të ndikojë ndjeshëm në sistemin pensional në Maqedoninë e Veriut. Që nga viti 2017, ka rreth 68.000 më pak njerëz në fuqinë punëtore; numri i njerëzve që punojnë ose kërkojnë punë në mënyrë aktive është në rënie të vazhdueshme. Dhe kjo prirje do të përshpejtohet vetëm në planin afatgjatë - parashikimet e popullsisë të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se popullsia në moshë pune (15-64 vjeç) pritet që pothuajse të përgjysmohet deri në vitin 2070 dhe të jetë pothuajse në të njëjtin nivel me popullsinë e mbështetur (të moshës nën 15 vjeç dhe mbi 65 vjeç). Numri i pensionistëve pritet gjithashtu të tejkalojë numrin e të punësuarve deri në vitin 2053, sipas Raportit të Financave Publike të Bankës Botërore për vitin 2024. Shpenzimet pensionale tashmë kanë arritur në 11.3 për qind të PBB-së në vitin 2024, ndërsa fondi i parë i shtyllës pensionale po lufton vazhdimisht me një deficit prej 4 për qind të PBB-së. Disa vjet më parë, Maqedonia e Veriut zbatoi një nga reformat më ambicioze të pensioneve në rajon, por sfidat që lidhen me plakjen dhe migracionin kërkojnë shqyrtim të plotë të alternativave për të ruajtur mirëmbajtjen e tyre me kalimin e kohës. Duke parë përvojën e vendeve të tjera që përballen me sfida të ngjashme, opsionet e reformës që Maqedonia e Veriut mund t'i marrë në konsideratë, kërkojnë konsensus të gjerë të palëve të interesuara, të cilat përfshijnë, ndër të tjera, (i) indeksimin e pensioneve ndaj inflacionit për të ruajtur fuqinë blerëse të pensioneve; (ii) rritje graduale të kontributeve të pensioneve, duke rritur përputhshmërinë dhe duke ulur ekonominë gri; (iii) rritje graduale të moshës së pensionit, ndërsa vendosen programe të tregut të punës për të përmirësuar/ritrajnuar personat e rriturit më të moshuar që janë të aftë dhe të gatshëm për të punuar; dhe masa alternative për të rritur kthimet e investimeve të fondeve pensionale.

Vendi ka aderuar në Fushën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Sa është kjo e rëndësishme?

- Integrimi i Maqedonisë së Veriut në SEPA dhe modernizimi i sistemeve të pagesave pritet të gjenerojnë përfitime të konsiderueshme nga përfshirja ekonomike dhe financiare për qytetarët dhe kompanitë maqedonase në vend. Aktualisht, dërgimi i dërgesave prej 200 eurosh në Maqedoninë e Veriut kushton mesatarisht rreth 15 euro, ndërsa me integrimin në SEPA dhe miratimin e sistemit të pagesave të shpejta, kostoja mund të bjerë në vetëm 2 euro. Kjo ulje do t'i kursente migrantët dhe familjet e tyre deri në 20 milionë euro në vit. Për më tepër, përfshirja financiare mbetet relativisht e ulët në Maqedoninë e Veriut, me vetëm 74 përqind të të rriturve që përdorin pagesa digjitale, e cila është nën nivelin rajonal dhe nivelin e të ardhurave. Integrimi në SEPA mund të ndihmojë gjithashtu në zgjerimin e qasjes në shërbimet financiare për rreth 270.000 njerëz shtesë, duke përfshirë 190.000 gra. Jemi krenarë që mund të ndihmojmë vendet e rajonit me gatishmërinë për SEPA. Mali i Zi tashmë po ndjen përfitimin nga ky harmonizim.

Po braktisni Shkupin, cilat janë planet tuaja të ardhshme dhe cili është destinacioni juaj i radhës?

- Po i afrohem fundit të pesë viteve të rëndësishme në këtë vend. Është emocionuese të largohesh pas bashkëpunimit me kolegë dhe partnerë të mëdhenj, duke përfshirë bashkëpunëtorët tanë, si dhe kolegët nga ekipi i Bankës Botërore. Do të bart shumë kujtime të qytetarëve, nëpunësve shtetëror, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe të rinjve, si dhe sipërmarrësve të vendosur për të kthyer një kapitull të ri drejt zhvillimit dhe për të përqafuar një të ardhme më të qëndrueshme, të barabartë dhe produktive për veten dhe për brezat e ardhshëm. Unë largohem me imazhe të pashlyeshme të një vendi me bukuri mahnitëse, ku kultura, traditat dhe stilet e jetesës përzihen me kreativitetin, inovacionin dhe guximin: kjo është ajo që është zhvillim. Kjo është Maqedonia e Veriut për mua.

Destinacioni im i radhës është në Shqipëri, përtej kufirit. Unë do të punoj si Drejtor i ri i Grupit të Bankës Botërore, duke përfaqësuar tre agjencitë e Grupit tonë, përkatësisht IBRD, IFC dhe MIGA. Qëllimi im kryesor është i qartë dhe emocionues në të njëjtën kohë: bashkimi i zgjidhjeve të orientuara nga sektori publik dhe privat për të ndihmuar në përmbushjen e prioriteteve të zhvillimit të Shqipërisë në kontekstin e procesit të aderimit në BE. Ashtu si Shqipëria, e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE. Jam i bindur se Banka Botërore do të vazhdojë të luajë rol kyç në mbështetjen e të dy vendeve drejt anëtarësimit në BE.

Biljana Anastasova-Kostiq

Foto: MIA 

QËNDRONI TË LIDHUR