• e shtunë, 23 nëntor 2024

Pakistani vendosi masa të reja pas paralajmërimit të KB-së për smogun

Pakistani vendosi masa të reja pas paralajmërimit të KB-së për smogun

Islamabad, 12 nëntor 2024 (MIA) - Pakistani sot vendosi masa për kontroll të smogut toksik pas paralajmërimit të Kombeve të Bashkuara që më shumë se 11 milionë fëmijë mund të ekspozohen në rrezik nga infeksionet e mushkërive, raportoi DPA.

Qeveria pakistaneze urdhëroi mbylljen e shkollave në të gjithë provincën Penxhab, ndërsa tregjet do të mbyllen në orën 20:00 si dhe të gjitha kompanitë private dhe publike janë urdhëruar ta ulin personelin në gjysmë, deklaroi ministrja rajonale Marijum Auranxheb.

Qeveria në Penxhab paraprakisht gjatë nëntorit urdhëroi mbylljen e shkollave në tetë qytete të mëdha, si dhe mbylljen e disa bizneseve siç janë fabrikat për pjekjen e tullave për të kontrolluar emisionet e gazrave të dëmshëm, përkujtoi agjencia gjermane.

Agjencia e KB-së për fëmijë-UNICEF paralajmëroi që më shumë se 11 milionë fëmijë nën pesë vjeç nga rajoni, të cilët kanë thithur nga ajri toksik, mund të ekspozohen në rrezik nga infeksionet.

"Fëmijët e vegjël janë më së shumti të prekur nga ajri i ndotur sepse kanë mushkëri më të vegjël dhe nuk kanë imunitetin që vjen me moshën", shtohet në kumtesën e UNICEF-it. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR