• e hënë, 23 dhjetor 2024

Padia e parë në Gjermani kundër BioNTek për shkak të pasojave të vaksinës kundër koronavirusit

Padia e parë në Gjermani kundër BioNTek për shkak të pasojave të vaksinës kundër koronavirusit

Hamburg, 11 qershor 2023 (MIA) - Kompania farmaceutike BioNTek do të dalë nesër para Gjykatës së Qarkut në Hamburg pas një procesi gjyqësor në të cilin një grua gjermane kërkon kompensim për pasojat e rënda të vaksinës së saj kundër Kovid-19.

Kjo është e para në një seri padish të mundshme kundër kompanisë në Gjermani për efektet anësore të vaksinës.

Gruaja ka paditur prodhuesin gjerman për të paktën 150 mijë euro për shkaktim të lëndimeve fizike dhe dëmeve materiale të paspecifikuara, thuhet në kërkesën për dëmshpërblim, për të cilën do të vendosë Gjykata e Qarkut në Hamburg.

Paditësja pretendon se për shkak të vaksinës kishte dhimbje në pjesën e sipërme të trupit, ënjtje të këmbëve dhe krahëve dhe shqetësime të gjumit. Avokati i saj, Tobias Ulbrih, tha se ai synon të kundërshtojë vlerësimin nga rregullatori gjerman dhe Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) se vaksina e BioNTek ka një raport pozitiv të përfitimit dhe dëmit.

Sipas ligjit gjerman, prodhuesit e vaksinave dhe barnave janë subjekt i padive dhe pretendimeve për dëmshpërblim nëse "shkenca mjekësore" tregon se produktet e tyre bëjnë dëm joproporcional ose nëse udhëzimet e ilaçit janë mashtruese.

BioNTek, kompania që ka zhvilluar vaksinën "Comirnaty" në bashkëpunim me prodhuesin amerikan Fajzer, beson se padia është e pabazuar. Kjo vaksinë, thotë kompania, është injektuar në 1.5 miliardë njerëz në mbarë botën, duke përfshirë më shumë se 64 milionë gjermanë.

EMA pretendon se vaksina është e sigurt dhe se në vitin e parë të pandemisë ajo ndihmoi në shpëtimin e afro 20 milionë jetëve në mbarë botën. EMA, megjithatë, pranon se pas vaksinimit me "Comirnaty" ekziston një rrezik i vogël i zhvillimit të miokarditit dhe perikarditit, dy lloje të inflamacionit të zemrës, dhe këto prekin më së shumti meshkujt e rinj.

Agjencia ka marrë deri më tani rreth 1.7 milionë ankesa për efektet anësore që kanë ndodhur pas marrjes së vaksinës kundër Kovid-19. Bëhet fjalë për 0.2 raste për 100 doza të injektuara. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR