• e mërkurë, 27 nëntor 2024
Përurohet godina e re e Komunës së Strugës
Strugë, 4 nëntor 2022 (MIA) – Në prani të një numri të madh të ministrave, përfaqësuesve qeveritarë dhe deputetëve, sot në Strugë zyrtarisht u përurua godina e re e Komunës. Në hapjen zyrtare morën pjesë Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Bashkësive, Artan Grubi, ministrat e Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov, i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Mile Zeçeviq .... Administrata e Komunës së Strugës u shpërngul në objektin e rinovuar të ish-shkollës fillore "Vëllezërit Milladinov", ndërsa në godinën e vjetër të komunës, siç informoi kryetari i Komunës, Ramiz Merko do të transferohen shërbimet e institucioneve qendrore dhe lokale. "Në marrëveshje me MPB-në për të na dhënë një pjesë të burgut dhe godinës së vjetër, ne u japim hapësirë ​​në katin e parë të godinës së vjetër të komunës. Do të ketë zyra të prokurorisë publike, Inspektoratit të Tregut, Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera lokale dhe qendrore, ku qytetarët do të kenë mundësi të marrin shërbime më të mira", tha Merko. Me shpërnguljen në godinën e re, administrata lokale, potencoi, do të ketë kushte më të mira për punë, ndërsa kjo, sipas tij, do të mundësojë edhe shërbime më të mira për qytetarët e Komunës së Strugës. "Ky qytet, i cili është duke u zhvilluar çdo ditë e më shumë, ka akoma nevojë për mundësimin e kushteve më të mira për punë edhe për institucionet e tjera, të cilat janë të vendosura në baraka. Kemi zgjidhje, ka shumë objekte shtetërore të cilat janë lënë në mëshirë të fatit dhe kërkojmë t'i lirohen komunës, ndërsa ne t'i rinovojmë dhe t'i rregullojmë në dobi të institucioneve", theksoi Merko. ss/shk/

QËNDRONI TË LIDHUR