• e premte, 05 dhjetor 2025

Përpjekja e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës para afatit kushtetues

Përpjekja e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës para afatit kushtetues

Prishtinë, 25 korrik 2025 (MIA)- Nga ora 11 deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për të 52-ën herë në përpjekje për konstituimin e këtij institucioni. Do të jetë seanca e fundit para skadimit të afatit kushtetues. Këtë herë do të marrin pjesë edhe ambasadorët e vendeve të huaja në Kosovë.

Pas kësaj dite, deputetëve u ndalohet çdo vendim dhe veprim në drejtim të konstituimit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar më 24 korrik. Kjo gjykatë ka vendosur masë të përkohshme që e përcakton ndalesën nga 27 korriku deri më 8 gusht, informon Koha.net.

“Prandaj, ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas 26 korrikut 2025 është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Nga ana tjetër, presidentja Vjosa Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të lindin në rast se Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar prej 30 ditësh – që zyrtarisht përfundon më 26 korrik.

Ndryshe, deputetët 51 herë nuk janë pajtuar fillimisht për Albulena Haxhiun si emër i propozuar për kryetare të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje e cila doli si parti fituese e zgjedhjeve të shkurtit. E më pas, partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë kanë kundërshtuar formimin e një komisioni për votim të fshehtë.

 

QËNDRONI TË LIDHUR