Përmbytje në Bali dhe Flores: Të paktën 18 persona të vdekur, gjashtë të zhdukur
- Përmbytje të mëdha të shkaktuara nga reshjet e pazakonta të dendura të shiut kanë goditur ishullin turistik indonezian të Balit dhe pjesë të Flores, duke mbytur të paktën 18 persona dhe duke lënë gjashtë të zhdukur, njoftuan autoritetet në Xhakartë.
- Post By Sara Ademi
- 10:19, 11 shtator, 2025
Xhakarta, 6 shtator 2025 (MIA) - Përmbytje të mëdha të shkaktuara nga reshjet e pazakonta të dendura të shiut kanë goditur ishullin turistik indonezian të Balit dhe pjesë të Flores, duke mbytur të paktën 18 persona dhe duke lënë gjashtë të zhdukur, njoftuan autoritetet në Xhakartë.
Rrugët, nënkalimet dhe shtëpitë u përmbytën, automobilat u rrëmbyen nga lumenjtë, ndërsa një pjesë e madhe e banorëve u detyruan të evakuohen.
Në Bali humbën jetën të paktën 14 persona, ndërsa më shumë se 560 banorë braktisën shtëpitë e tyre dhe përkohësisht janë akomoduar në shkolla dhe qendra komunale. Veçanërisht është goditur kryeqyteti Denpasar, ndërsa rrugët në qendrat e njohura turistike si Çangu dhe Ubud u shndërruan në lumenj, raportoi gazeta "Bali San".
Kaosi i trafikut u zgjerua në rrugët kyçe, mes të cilave edhe rrugët hyrëse në aeroportin ndërkombëtar "Ngura Raj". Mediat lokale njoftojnë për dëm të madh material, ndërsa turistët janë paralajmëruar të shmangin rreziqet e panevojshme.
Në rajonin Nagekeo në ishullin Flores përmbytjet kanë marrë katër jetë, mes të cilëve edhe një foshnje gjashtëmuajshe. Katër persona ende udhëhiqen si të zhdukur.
Agjencia Meteorologjike e Indonezisë (BMKG) ia atribuoi shiun e rrëmbyeshëm Valëve Ekuatoriale - valë të mëdha planetare që mund të shkaktojnë kushte ekstreme të motit afatgjata. Sipas meteorologëve, ato çuan në formimin e reve të dendura dhe reshjeve të dendura të shiut.
Për ditët në vijim paralajmërohen kushte të reja të motit.
Indonezia përjeton rregullisht përmbytje dhe rrëshqitje toke gjatë sezonit të shirave, e cila zakonisht është në kulmin e tyre nga nëntori në mars. Ekspertët paralajmërojnë se një sistem kanalizimesh i mirëmbajtur dobët dhe zhvillimi i shpejtë urban në Bali, një nga ishujt më të vizituar në botë, rrisin më tej rrezikun e përmbytjeve edhe jashtë periudhës së shirave muson. sa/
foto: EPA