• e hënë, 23 dhjetor 2024

Përmbyten pjesë qendrore të disa qyteteve në BeH, situatë më e rëndë në Jabllanicë

Përmbyten pjesë qendrore të disa qyteteve në BeH, situatë më e rëndë në Jabllanicë

Sarajevë, 4 tetor 2024 (MIA) - Pjesët qendrore të disa qyteteve në pjesën veriore të Hercegovinës dhe Bosnjës qendrore janë plotësisht të përmbytura, ndërsa situatë më e rënduar është në Jabllanicë e cila është plotësisht e izoluar për shkak të përmbytjeve.

Gjatë natës së kaluar, reshjet e dendura të shiut kanë krijuar përrenj të cilët kanë kthyer në lumenj pjesët qendrore të disa qyteteve. Objektet e banimit dhe afarizmit janë vërshuar, ndërsa qarkullimi është në bllokim të plotë. Sipas informacioneve të Shërbimit të shpëtimit në Jabllanicë, hyrja dhe dalja nga qyteti është e pamundur.

Në ndërprerje janë drejtimet rrugore drejt Mostarit dhe Sarajevës. Në faqen e tyre në Fejsbuk është publikuar një video ku shihet qendra e qytetit duke u kthyer në lumë.

Qytetarët paralajmërohen që të mos dalin nga shtëpitë e tyre, ndërsa ata që kanë mundësi të kontaktojnë shërbimet kompetente për ndihmë.

Në rrugë ka rrëshqitje të shumta. Situata është e ngjashme në Konjicën fqinje. Është përmbytur edhe qendra e Kiselakut në Bosnjën qendrore, ndërsa kryebashkiaku Mlladen Mishuriq Ramljak këtë e quajti "përmbytje me përmasa biblike".

Qeveria e kantonit Hercegovinë-Neretvë me qendër në Mostar e vlerësoi situatën si kritike dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos udhëtojnë në Konjicë dhe Jabllanicë.

Paralajmërimet nga meteorologët për reshje të reja shkaktojnë shqetësim shtesë. rq/

Foto: printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR