• e hënë, 23 dhjetor 2024

Për sigurinë e Samitit të procesit të Berlinit në Tiranë do të kujdesen mbi 1.600 policë shqiptarë

Për sigurinë e Samitit të procesit të Berlinit në Tiranë do të kujdesen mbi 1.600 policë shqiptarë

Tiranë, 14 tetor 2023 (MIA) - Policia shqiptare dhe Garda Kombëtare janë të gatshme të garantojnë rendin, paqen dhe sigurinë publike para, për dhe pas Samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor, tha sot zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga.

Në prani të një përfaqësuesi të gardës, ai prezantoi masat, të cilat përfshijnë një regjim të posaçëm të qarkullimit, si për automjetet ashtu edhe për qytetarët, duke shtuar se për sigurinë do të punësohen mbi 1.600 policë dhe roje.

"Dëshiroj të nënvizoj faktin se Policia e Shtetit dhe Garda, për përgatitjen e planit të masave dhe për përcaktimin e perimetrit të sigurisë për Samitin e Procesit të Berlinit, kanë bashkëpunuar edhe me ekspertë të sigurisë të vendeve të BE-së, me qëllim të zbatojë standardet më të larta të sigurisë, gjatë zbatimit të aktiviteteve të këtyre dimensioneve. Ne kemi bashkëpunuar edhe me agjenci të tjera ligjzbatuese në vend, si dhe me organizatat ndërkombëtare Interpol dhe Europol, për shkëmbimin në kohë të informacionit", tha Bizhga.

Sipas tij, bashkëpunimi me bashkinë e Tiranës, autoritetet e aeroportit ndërkombëtar, autoritetet e kontrollit të aviacionit, shërbimin zjarrfikës dhe qendrat shëndetësore në Tiranë është në nivel të lartë.

"Duke filluar nga ora 20:00 e datës 15 tetor deri në përfundim të Samitit, më datë 16 tetor, në orën 20:00, do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, por do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë rezidentë në ambiente banimi brenda perimetrit të sigurisë, për të cilën harta është publikuar dhe e disponueshme për inspektim publik. Më 16 tetor nuk do të punojnë në këtë perimetër subjektet juridike, tregtare, hotelierike e të tjera. Policia e shtetit kërkon mirëkuptim dhe bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, për të reduktuar sa më shumë përdorimin dhe qarkullimin e automjeteve dhe për të përdorur rrugët e tjera", theksoi Bizhga.

Prezencë të shtuar të policisë do të ketë në të gjitha pikat kufitare drejt Tiranës, prej nga do të mbërrijnë pjesëmarrësit.

Në Tiranë nga data 9 e këtij muaji kanë mbërritur 100 oficerë të xhandarmërisë dhe forcave franceze të sigurisë, që lidhet me vizitën e presidentit Emanuel Makron në Shqipëri.

Makron do të mbërrijë në metropolin shqiptar më 16 tetor dhe do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, ndërsa ditën e nesërme do të ketë takime dypalëshe. Kjo është vizita e parë e një presidenti francez në historinë e shtetit shqiptar. sa/

Foto: MPB e Shqipërisë

QËNDRONI TË LIDHUR