• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Për 10 vjet nga tregu evropian janë zhdukur 26 për qind e barnave gjenerike

Për 10 vjet nga tregu evropian janë zhdukur 26 për qind e barnave gjenerike

Bruksel, 4 maj 2023 (MIA) - Në dhjetë vitet e fundit, 26 për qind e barnave gjenerike u zhdukën nga tregu evropian dhe arsyeja më e zakonshme ishte mosrentabiliteti i prodhimit për shkak të çmimeve të ulëta të barnave, u paralajmërua sot në panelin e diskutimit të udhëheqësve nga Industria farmaceutike evropiane.

Për shkak të politikës së çmimeve ndaj barnave gjenerike, në dekadën e fundit, 33 për qind e antibiotikëve dhe 40 për qind e barnave për trajtimin e tumoreve janë zhdukur nga tregu evropian, theksuan ekspertët në një diskutim onlajn në portalin evropian Politiko.

Filip Drehsle, anëtar i Bordit Ekzekutiv (Teva Evropë), paralajmëroi se i gjithë zinxhiri i furnizimit të barnave gjenerike është nën presion të madh për shkak të uljes së çmimeve deri në kufijtë e qëndrueshmërisë. Duke vepruar kështu, shtoi ai, ligjet kombëtare favorizojnë furnizuesit më të lirë, duke injoruar qëndrueshmërinë e prodhimit dhe disponueshmërinë e ilaçeve thelbësore.

Ai vlerësoi gjithashtu se sistemi rregullator evropian është shumë i shtrenjtë, detyrimet mjedisore janë shumë rigoroze, gjë që e vendos Evropën në një pozitë jo konkurruese në raport me vendet aziatike.

Drejtori i përgjithshëm i shoqatës së industrisë së gjenerikëve "Barna për Evropë", Adrian van den Hoven, trajtoi mungesën e antibiotikëve, të cilat ai tha se treguan se sa e brishtë ishte disponueshmëria e ilaçeve thelbësore këtë dimër dhe sa i rëndësishëm ishte kthimi i prodhimit në Evropë.

Ai theksoi domosdoshmërinë e rritjes së çmimeve të barnave gjenerike, terapia mujore e të cilave tashmë është më e ulët se çmimi i një filxhani kafeje në një kafene dhe tha se problemi i mungesës duhet të zgjidhet duke rishikuar legjislacionin farmaceutik të BE-së.

Një thirrje u dërgua gjithashtu për një dialog të hapur midis furnitorëve dhe agjencive mjekësore për të paralajmëruar sa më shpejt të jetë e mundur për pengesat e furnizimit.

Komisioni Evropian dhe Agjencia e Barnave (EMA) kanë obliguar të gjitha vendet anëtare të BE-së të monitorojnë situatën në zinxhirët e furnizimit dhe të ngrenë alarmin për mungesat e mundshme të barnave si pjesë e një projekti të përbashkët të KE-së. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR