Otava e kritikon Kinën për ekzekutimin e katër kanadezëve për shkak të tregtisë me drogë
- – Kanadaja sot kumtoi se Kina ka ekzekutuar katër shtetas kanadezë për shkak të kontrabandës me drogë dhe ashpër e dënoi përdorimin e dënimit me vdekje nga ana e Pekinit.
- Post By Fitore Curri
- 11:58, 20 mars, 2025

Otavë, 20 mars 2025 (MIA) – Kanadaja sot kumtoi se Kina ka ekzekutuar katër shtetas kanadezë për shkak të kontrabandës me drogë dhe ashpër e dënoi përdorimin e dënimit me vdekje nga ana e Pekinit.
Ministrja kanadeze e Punëve të Jashtme, Melani Xholi deklaroi se të gjithë të katërt kanë shtetësi të dyfishtë dhe shtoi se Otava do të kërkojë lehtësime për kanadezët e tjerë të cilët do të përballen me fatin e njëjtë.
Në të njëjtën kohë, Ministria kanadeze e Punëve të Jashtme njoftoi se Robert Shelenberg – kanadez i dënuar me vdekje në vitin 2019 për tregti me drogë - nuk është ekzekutuar.
Marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Kinës në mënyrë dramatike u përkeqësuan në vitin 2018 kur Meng Vançzhou, drejtoreshë financiare e kompanisë kineze të telekomunikimeve Huavej, ishte arrestuar në Vankuver, me kërkesë të Uashingtonit. Meng ishte liruar në vitin 2021.
“Lufta kundër krimeve lidhur me drogën është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha vendeve”, deklaroi sot zëdhënësja e Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Mao Ning.
Ajo i bëri thirrje Kanadasë “ta respektojë frymën e sundimit të drejtësisë dhe të ndalojë të përzihet në sistemin gjyqësor sovran kinez”.
Mao shtoi se “Kina i trajton të akuzuarit njëjtë pa dallim të kombësisë së tyre, vepron me rastet e tyre në mënyrë të drejtë dhe ashpër dhe se i mbron të drejtat e tyre”.
Në kumtesën e ambasadës kineze në Otavë bëhet e ditur se Kanadaja ka dhënë deklarata të papërgjegjshme.
“Kina gjithmonë ka vendosur gjoba të rrepta për krimet lidhur me drogën dhe mban qëndrim ‘zero tolerancë’ ndaj problemit me drogën”, njoftoi Ambasada. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s