• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ostin: SHBA-ja ka vendosur sistemin e avancuar antiraketor THAAD në Izrael

Ostin: SHBA-ja ka vendosur sistemin e avancuar antiraketor THAAD në Izrael

Uashington, 21 tetor 2024 (MIA) - Ushtria amerikane ka vendosur sistemin e avancuar antiraketor THAAD në Izrael për një periudhë të shkurtër kohore, deklaroi sot sekretari amerikan i mbrojtjes Lojd Ostin, duke shtuar se kjo synon të forcojë mbrojtjen e Izraelit pasi Irani lëshoi ​​më shumë se 180 raketa balistike më 1 tetor.

Ostin, gjithashtu, sqaroi se rreth 100 përfaqësues të ushtrisë amerikane janë pozicionuar për të mbështetur Izraelin mes tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme, raportojnë mediat britanike.

"Sistemi THAAD është vendosur. Jemi në gjendje ta fusim në punë shpejt dhe deri më tani po përparojmë sipas pritshmërive", deklaroi Ostin para mbërritjes së sotme në Ukrainë, por refuzoi të tregojë nëse sistemi është operativ.

Presidenti amerikan Xho Bajden më herët deklaroi se qëllimi i vendosjes së sistemit THAAD, së bashku me rreth 100 trupa amerikane është të mbështesë mbrojtjen e Izraelit.

Qeveria izraelite dhe ushtria planifikojnë hakmarrje kundër Iranit, pasi Teherani zyrtar urdhëroi sulmin ndaj Izraelit. 

Zyrtarët amerikanë thonë se SHBA-ja i ka kërkuar Izraelit të koordinojë reagimin e tij për të shmangur përhapjen e një lufte më të gjerë në Lindjen e Mesme, ndërsa Bajdeni ka shprehur publikisht kundërshtimin e tij ndaj një sulmi izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit dhe shqetësimet për një sulm të mundshëm në infrastrukturën energjetike të Iranit. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR