• e hënë, 23 dhjetor 2024

Osmani zhvilloi darkë pune me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Enriko Barduani

Osmani zhvilloi darkë pune me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Enriko Barduani

Prishtinë, 14 nëntor 2024 (MIA)- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka realizuar mbrëmë darkë pune me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enriko Barduani, me të cilin u diskutuan çështje të sigurisë në vend.

Në këtë takim, presidentja Osmani nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm për një Kosovë të sigurt dhe stabile, si parakusht për zhvillim e prosperitet, ndërsa rikonfirmoi rëndësinë e koordinimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, për çështje të sigurisë, me qëllim të mbrojtjes së të gjithë qytetarëve tanë dhe mbrojtjes së sovranitetit të vendit.

“Në këtë linjë, Osmani vazhdon të ketë takime të rregullta me komandantin e KFOR-it, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit me partnerë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n”, thuhet në kumtesë. 

Osmani mes tjerash ka shprehur mirënjohje për KFOR-in i cili ka shtuar numrin e trupave e të cilët po mbështesin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë. Presidentja ripotencoi rreziqet që vijnë nga taktikat destabilizuese të Serbisë, sidomos për shkak të mungesës së dhënies së përgjegjësisë nga ana e Serbisë, si për aktin e agresionit të shtatorit 2023, ashtu edhe për sulmet ndaj KFOR-it, në maj 2023.

Ndër të tjera, në këtë takim, presidentja dhe komandanti Barduani pohuan angazhimin e tyre të përbashkët për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët, duke pranuar se bashkëpunimi dhe besimi i ndërsjellë janë bazë për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm.

QËNDRONI TË LIDHUR