• e premte, 20 dhjetor 2024

Osmani: Ura e Ibrit nuk duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë, Vuçiqi nuk ka pse të pyetet

Osmani: Ura e Ibrit nuk duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë, Vuçiqi nuk ka pse të pyetet

Prishtinë, 1 gusht 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se çështja e hapjes së urës në lumin Ibër e cila lidhë dy pjesët e qytetit të ndarë të Mitrovicës - atë jugor të banuar me shqiptarë dhe pjesën veriore të banuar me shumicë serbe nuk duhet të jenë temë dialogu me Serbinë, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Osmani i reagoi Bashkimit Evropian që të enjten u shpreh se çështja e hapjes së urës duhet të trajtohet në dialogun në Bruksel me Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka thënë në Fejsbuk se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk ka çka pyetet “se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”.

Për presidenten, dialogu i vetëm që duhet të bëhet është brenda Kosovës mes institucioneve dhe partnerëve “që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës”.

“Çështja e urës nuk duhet assesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë”, ka thënë Osmani.

QËNDRONI TË LIDHUR