• e hënë, 23 dhjetor 2024

Osmani takoi presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Shtajnmaer

Osmani takoi presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Shtajnmaer

Prishtinë, 2 tetor 2024 (MIA)- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës së punës në Gjermani ka takuar presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Valter Shtajnmaer.

Diskutimet u fokusuan në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor si dhe avancimin e integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Presidentja Osmani shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën në procesin e lirisë dhe shtetndërtimit, por edhe në rrugën euroatlantike.

“Kosova dhe Gjermania kanë një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm të bazuar në vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe progresit. Gjermania është aleate strategjike në rrugëtimin e Kosovës drejt fuqizimit dhe integrimit ndërkombëtar, ndaj presim që ta forcojmë edhe më tej këtë partneritet në vitet në vijim”, ka theksuar Osmani.

Procesin e Berlinit, presidentja Osmani e ka cilësuar shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë kontekst, ajo ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala nga ky proces. Në takim me presidentin  Shtajnmaer, Osmani ndër të tjera ka potencuar rolin dhe kontributin e mërgatës shqiptare në Gjermani e cila është urë e fuqishme për raportet ndërmjet dy shteteve.

Të dy presidentët diskutuan gjithashtu dhe potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të dyanshëm.

 

QËNDRONI TË LIDHUR