• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Osmani: Sfidat janë të mëdha, por edhe mundësitë- me rëndësi është të kemi njeriun e duhur në funksionin e duhur

Osmani: Sfidat janë të mëdha, por edhe mundësitë- me rëndësi është të kemi njeriun e duhur në funksionin e duhur

Shkup, 9 mars 2024 (MIA) - Sfidat janë të mëdha, por edhe mundësitë janë të mëdha, me rëndësi është të kemi njeriun e duhur në funksionin e duhur, porositi sonte kandidati i BDI-së për president të shtetit dhe ministër aktual i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Në Qendrën sportive- rekreative (QSR) në “Kala” ku me moton “Koha për presidentin e parë shqiptar”, u mbajt konventa partiake, Osmani premtoi se me gjithë bagazhin e tij diplomatik do të luftojë për përmirësimin e situatave në vend.

"E ardhmja jonë është në BE dhe këtë duhet ta përmbushim para qytetarëve. Doemos ta ndalojmë ikjen e të rinjve, doemos të investojmë në ekonomi, doemos të investojmë në arsim konform standardeve botërore", tha Osmani.

Ai poashtu përmendi se ka marrë "mbështetjen e përgjithshme nga jashtë".

Pas Osmanit, të pranishmëve iu drejtua edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

"BDI që 22 vite nuk njeh humbje, kemi fituar çdo betejë, si ushtarakisht edhe taktikisht. Bashkë më popullin arrijmë gjithçka, ne me popullin ndërtuam një Kala, që nuk përmbyset, me flamur, gjuhë, traditë, histori, universitete ndaj e dëshmojmë se jemi dalzotës dhe fitues gjithmonë. BDI ka ngritur kuadro për këtë vend, për këtë komb, ndaj ky është investimi më i madh që ne kemi bërë. Me BDI-në nuk është e lehtë të matesh, sepse të gjithë ju keni investuar në veprat kapitale kombëtare, që s’ka kush i shkul", është shprehur në fjalën e tij kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Në konventë shkurtë ka folur edhe kryeministri Talat Xhaferi, ndërsa para fillimit të konventës të pranishmëve iu drejtua edhe Fatmir Besimi.

Përveç udhëheqësisë së lartë partiake, në konventë të pranishëm kanë qenë edhe anëtarë të partisë, simpatizantë dhe mysafirë.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Osmani ka mbledhur 10.000 nënshkrimet e nevojshme nga qytetarët deri më 26 shkurt. Për të deri në orën 20 të asaj dite kanë nënshkruar 10.528 qytetarë. Të dhënat e KSHZ-së nga 7 marsi deri në orën 20 tregojnë se Osmani ka mbledhur 11.085 nënshkrime.

Informacioni se Osmani do të jetë kandidat për president nga radhët e BDI-së në zgjedhjet e ardhshme e bëri të ditur edhe lideri i partisë Ali Ahmeti nga selia në Reçicë të vogël.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe kandidati për president, Osmani paralajmëroi se ndër temat e fushatës së tij do të jenë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve dhe zgjedhja e presidentit në Kuvend. Ai pret hyrje në raundin e dytë. Programin e tij, siç tha e kanë përpiluar ekspertë vendor dhe ndërkombëtar, si kandidat për president do të ketë ueb faqen e tij dhe do t'u drejtohet të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike.

foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR