• e diel, 22 dhjetor 2024

Osmani: Presidenti Klinton u bë zëri i popullit të Kosovës në ditët tona më të vështira

Osmani: Presidenti Klinton u bë zëri i popullit të Kosovës në ditët tona më të vështira

Prishtinë, 20 shkurt 2023 (MIA)- Me iniciativë të Shoqatës Historike të Shtëpisë së Bardhë (White House Historic Association), presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier dhe fëmijët e shkollës “Xhemail Mustafa” kanë shënuar Ditën e presidentit.

Në këtë ngjarje, Osmani e ka nderuar presidentin Klinton për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.

“Ne vijmë këtu me fëmijët e Kosovës, për të festuar një president amerikan që dëgjoi lutjen tonë për liri e paqe. Një president që vërtetë dëgjoi zërat e fëmijëve tanë dhe popullit tonë. Ky është presidenti Bill Klinton, presidenti i 42-të i SHBA-së. Gjatë presidencës së tij, presidenti Klinton tregoi përkushtim të palëkundur për të promovuar paqen, lirinë dhe drejtësinë, duke refuzuar të rrinte duarkryq dhe të shikonte njerëzit e pafajshëm duke vuajtur. Presidenti Klinton dëgjoi luftën e popullit të Kosovës dhe u bë zëri ynë”, ka thënë Osmani.

Ndërhyrja në Kosovë, ka thënë ajo, ishte një mision humanitar i rendit më të lartë, i nxitur nga vlerat më themelore njerëzore të drejtësisë, dhembshurisë dhe djinitetit. E përmes udhëheqjes e vendosmërisë së tij të guximshme u shpëtuan jetë të panumërta dhe u realizua shpresa për ndërtimin e një shteti të lirë e të pavarur.

“Presidenti Klinton na ka mësuar shumë, por në veçanti trashëgimia e tij këtu në Kosovë na ka mësuar që gjithmonë të ngrihemi kundër shtypjes e të luftojmë për drejtësi, pavarësisht se sa e frikshme mund të duket”, ka theksuar Osmani.

QËNDRONI TË LIDHUR