• e diel, 22 dhjetor 2024

Osmani nga Sesioni veror i AP të OSBE-së: Duhet të aktivizojmë të gjithë mekanizmat për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajonin e OSBE-së

Osmani nga Sesioni veror i AP të OSBE-së: Duhet të aktivizojmë të gjithë mekanizmat për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajonin e OSBE-së

Shkup, 4 korrik 2023 (MIA) -  Sesioni veror i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së zhvillohet në një kohë sfidash të mëdha për Organizatën, për sigurinë dhe bashkëpunimin – vlerat tona kryesore. Në kushtet e agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës, qëllimi ynë si Kryesues të OSBE-së është t’i respektojmë detyrimet tona, ta ruajmë funksionalitetin e Organizatës dhe të kërkojmë mënyra për të rivendosur dialogun.

Këtë e theksoi kryesuesi i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në fjalimin e sotëm përmes videos në Seancën verore të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së që mbahet në Vankuvër të Kanadasë.

“Nuk do të bëjmë kompromis me këto parime. Dialogu thelbësor mund të zhvillohet vetëm në linjë me këto parime dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në këtë drejtim, i bëjmë thirrje Federatës Ruse që menjëherë t’i ndërpresë sulmet. Jemi të bashkuar në mbështetje të Ukrainës dhe ukrainasve që po vuajnë dhe dënojmë fuqishëm krimet ruse të luftës”, tha Osmani në fjalimin e tij.

Osmani falënderoi parlamentarët për punën dhe angazhimin e tyre për përfaqësimin e të drejtave të më shumë se një miliardë njerëzve nga i gjithë rajoni i OSBE-së. Vetëm përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë dhe mirëkuptimit të nevojave të njerëzve mund të nxisim vullnetin politik për tejkalimin e sfidave aktuale, potencoi Osmani.

“Lufta në Ukrainë mbetet prioriteti ynë kryesor, por në krye të agjendës sonë janë të gjitha konfliktet e stërzgjatura dhe jostabiliteti në rajonin e OSBE-së që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve. Prandaj është jashtëzakonisht i rëndësishëm aktivizimi i të gjitha mekanizmave dhe kapaciteteve të OSBE-së për të mbështetur paqen dhe bashkëpunimin”, tha Osmani.

Para rreth treqind delegatëve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, ai prezantoi edhe një herë prioritetet e kryesimit të Maqedonisë së Veriut me Organizatën dhe kërkoi përkushtim politik dhe iniciativa që së bashku do të kontribuojnë në forcimin e demokracisë dhe diplomacisë parlamentare në rajonin e OSBE-së. mb/

Foto: MPJ

 

QËNDRONI TË LIDHUR