Osmani në Samitin e SEECP-së, fton BE-në për veprime konkrete për Kosovën
- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Tiranë.
- Post By Fami Bajrami
- 21:24, 16 qershor, 2025
Prishtinë, 16 qershor 2025 (MIA)- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Tiranë.
“Faleminderit presidentit Begaj për mikpritjen dhe lidershipin në këtë samit të nivelit të lartë të liderëve të shteteve të Evropës Juglindore në Tiranë”, ka thënë Osmani.
Gjatë adresimit të saj, ajo tha se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është një proces bamirësie, por investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e vetë Evropës.
“Prandaj, është koha që BE-ja të lëvizë përpara me vendime konkrete dhe të merituara për Kosovën, përfshirë heqjen e masave të padrejta dhe dhënien e statusit të kandidatit për vendin tone”, tha ajo.
Sipas saj, qytetarët e Kosovës nuk duhet të mbahen peng nga masa që i dëmtojnë drejtpërdrejt dhe që nuk i shërbejnë as paqes, as dialogut, e as të ardhmes evropiane të rajonit tonë.
“Orientimi i Kosovës është i qartë dhe i palëkundur: drejt BE-së dhe NATO-s, si pjesë e natyrshme e familjes euroatlantike”, tha ajo.