Osmani: Kosova është dhe do të mbetet një aleate e besueshme në mbrojtje të vlerave demokratike
- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme ka vizituar Qendrën e ekselencës së NATO-s për komunikim strategjik (STRATCOM) në Riga.
- Post By Fami Bajrami
- 10:27, 16 korrik, 2025
Prishtinë, 16 korrik 2025 (MIA)- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme ka vizituar Qendrën e ekselencës së NATO-s për komunikim strategjik (STRATCOM) në Riga.
Ajo ka thënë se Kosova është dhe do të mbetet një aleate e besueshme në mbrojtje të vlerave demokratike.
“Dje, në Riga, vizitova Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM)– një institucion kyç në luftën kundër kërcënimeve hibride dhe në mbrojtje të integritetit të informacionit. Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në ndërtimin e kapaciteteve në siguri kibernetike dhe komunikim strategjik, si pjesë e përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në NATO”, tha ajo.
Vazhduam tutje me një diskutim në Shtëpinë e Evropës bashkë me gra lidere dhe aktiviste në Letoni për të ndarë me to rrugëtimin e Kosovës si vend që ka përjetuar luftën, por që sot avancon përpara me gratë në qendër të çdo procesi demokratik dhe të sigurisë, u shpreh presidentja.
“Vizitën e përmbyllëm në Muzeun e Okupimit të Letonisë si një moment reflektimi të thellë mbi historinë e përbashkët të qëndresës ndaj pushtimit dhe padrejtësisë. Si Kosova, ashtu edhe Letonia, mbijetuan përmes rezistencës dhe krenarisë kombëtare. Kujtesa kolektive është forca jonë – për të mos harruar të kaluarën e lavdishme dhe për të ndërtuar një të ardhme të drejtë e të sigurt”, ka shkruar Osmani.